Challandes e komenton deklaratën e trajnerit të Danimarkës se ndeshja ndaj Kosovës do të jetë stërvitje e mirë

17:35 | 20 March 2019

Trajneri i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të trajnerit të Danimarkës bërë para ndeshjes me Kosovën.

Bernard Challandes nuk mendon se trajneri i Danimarkës, Age Hareide, e nënçmoi Kosovën kur tha se ndeshja ndaj verdhekaltërve do të jetë si stërvitje për ta, duke thënë se Danimarka ka ndeshje të vështirë në kualifikime prandaj ka zgjedhur një miqësore të lehtë.

Trajneri norvegjez i Danimarkës Hareide kishte thënë se ndeshja miqësore e së enjtes kundër Kosovës në Prishtinë do të ishte një stërvitje e mirë për futbollistët e tij, komente që bënë zhurmë të madhe në Kosovë, raporton Express.

“Është e kuptueshme se e zgjodhëm një ekip me rangim më të ulët dhe ne do të luajmë me gjashtë zëvendësues. Do të jetë një stërvitje e mirë për ne”, tha në fillim të javës në Danimarkë Hareide.

Por, trajneri zviceran i Kosovës nuk mendon se komentet e tij ishin nënçmuese ndaj “Dardanëve”.

“Jo, nuk mendoj se ka menduar ashtu. Trajnerët nuk e kanë të lehtë sepse nuk ka ndeshje të lehtë. Edhe ne e kemi pasur të vështirë të fitojmë kundër Maltës, ose ta marrim shembull lojën kundër Gjilbrartarit në tetor apo nëntor dhe të themi se ata janë të dobët. Danimarka do ta luajë një ndeshje të vështirë ndaj Zvicrës për kualifikime dhe ka qenë vendimi i trajnerit ta zgjedhë Kosovën në miqësore sepse natyrisht ne nuk jemi Franca, kampioni i Botës”, tha Challandes të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë.

Kosova e pret Danimarkën të enjten në “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në një ndeshje miqësore në prag të fushatës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, që e nis të hënën kundër Bullgarisë.

Komento: