Challandes optimist para ndeshjes ndaj Malit të Zi e Bullgarisë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Challandes optimist para ndeshjes ndaj Malit të Zi e Bullgarisë

23:31 | 23 Maj 2019

Challandes synon vetëm fitore ndaj Malit të Zi e Bullgarisë.

I relaksuar dhe optimist është shprehur përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, para ndeshjeve kualifikuese të Euro 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Përzgjedhësi nga Zvicra ka bërë të ditur se Kosova në këto kualifikime duhet të luajë pa presion, të japë më të mirën dhe të kërkojë vetëm fitoren.

Ai bëri të ditur në një intervistë për Sportin në KTV, se stili i lojës së Kosovës nuk do të ndërrojë, pavarësisht se përballë do t’i ketë dy përfaqësuese të forta në ndeshjet e qershorit.

“Asnjëherë nuk kam menduar se duhet t’i bëjmë 10 pikë apo 8 pikë, apo nuk e di se sa na duhen për kualifikim. Ne duhet të fitojmë. Për mua, vetëm një gjë është me rëndësi. Një ide se si duhet t’ia bëjmë për të fituar. Në kualifikime të rregullta duhet të fitosh ndeshje në shtëpi e mysafir për t’u kualifikuar. Mendoj se duhet të luajmë me filozofinë tonë të lojës, me kualitetet tona, pa frikë dhe me guxim, me taktikat e teknikat tona. Duhet të shfaqim mentalitet luftues dhe duhet ta luajmë lojën tonë. I respektoj kundërshtarët, por nuk kam frikë”, ka thënë Challandes.

67-vjeçari Challandes foli edhe për ardhjet e reja, si Florent Hadërgjonaj, Ibrahim Dresheviq dhe Ylldren Ibrahimaj.

“Jam shumë i lumtur që e kemi Hadërgjonajn. Është futbollist i mirë. Mund ta ndihmojë ekipin. Problemi i vetëm është se ai nuk ka luajtur në gjashtë apo shtatë javët e fundit. Por, ka stërvitur dhe mendoj se mund ta ndihmojë ekipin. Për Dresheviqin dhe Ibrahimaj, janë dy futbollistë të rinj. Do ta shoh mentalitetin e tyre dhe integrimin në ekipin tonë. Është mirë për mua dhe ekipin t’i kem dy futbollistë të rinj”, ka deklaruar ai.

Kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë, përzgjedhësi Challandes ka thënë se do të luhet pa presion.

“A janë ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë vendimtare? Jo. Për mua është mundësi e mirë për të përparuar. E rëndësishme është të luajmë me filozofinë tonë, të luajmë ndeshje të mirë dhe të japim paraqitje të mirë. Nuk flas para ndeshjeve për pikë apo rezultate. Mali i Zi dhe Bullgaria janë shumë të forta si skuadra dhe është mundësi e mirë për neve të shohim se çfarë mund të tregojmë. Do të jetë e vështirë. Megjithatë, nuk kemi presion. Duhet të luajmë ashtu si dimë ne, kjo është me rëndësi për mua. Nuk duhet të themi se na duhen tre pikë apo katër apo dy”, ka thënë më tej Challandes.

Zviceranin Challandes që bëri historinë me Kosovën në Ligën e Kombeve, e gëzon fakti se forma e futbollistëve është e jashtëzakonshme.

Ai lavdëroi disa prej tyre, duke nënvizuar se, sidomos stinori pranveror, për ta ka qenë i shkëlqyer me gola të shënuar e asistime.

“Jam shumë i lumtur për një pjesë të futbollistëve. Disa futbollistë kanë luajtur ndeshje të mira në pjesët e dyta të kampionateve të ndryshme në Evropë. Për shembull Muriqi, Rashica, Zeneli, e shumë futbollistë ofensivë kanë bërë punë të mirë, kanë pasur paraqitje të shkëlqyera pasi edhe kanë shënuar shumë gola. Jam i lumtur me këta lojtarë. Por, është gjithmonë e njëjta. Në pjesën e fundit të kampionatit kemi lojtarë që janë të lënduar. Unë duhet ta bëj një vlerësim se kush është i gatshëm për dy ndeshje. Stërvitjet me ekipin do të jenë shumë të rëndësishme për këto vlerësime”, ka thënë ai.

Kosova, duelet e radhës do t’i zhvillojë në udhëtim te Mali i Zi fillimisht më 7 qershor, dhe tri ditë më pas, udhëton në Bullgari.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!