Chelsea me fitore bindëse ndaj Milanit.
Chelsea e ka regjistruar fitoren e parë në Grupin E të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur bindshëm Milanin (3-0) në Stamford Bridge.
Blutë e kishin të qartë se u nevojiteshin pikë për të shpresuar për një vend në fazën e eliminimit direkt dhe ia arritën qëllimit.
Pas një harkimi nga këndi të Ben Chilwell, Thiago Silva kërceu më lartë për të goditur me kokë, por i mrekullueshëm ishte portieri Ciprian Tatarusanu në pritjen e tij.
Megjithatë, topi nuk u pastrua si duhet dhe Wesley Fofana ishte në vendin e duhur, në kohën e duhur për ta realizuar golin e epërsisë (24’).
Dhe për ta menaxhuar më mirë rrjedhën e takimit, vendasit e shënuan edhe golin e dytë përmes Pierre-Emerick Aubameyang (56’), i cili u asistua nga Reece James.
Nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i tretë i nikoqirëve. Reece James pranoi një top nga Raheem Sterling dhe e nguliti në rrjetë (62’).
Këto ishin pikët e para të plota të Chelseat në Grupin E që është ngritur në kuotën e katër pikëve, aq sa ka edhe Milani.