Ben Chilwell ka rinovuar kontratën me Chelsean.
Klubi londinez njoftoi zyrtarisht këtë të martë për arritjen e marrëveshjes së re me mbrojtësin e krahut të majtë.
Sipas kontratës së re, Chilwell do të jetë i lidhur me “Blutë” deri në verën e vitit 2027.
“Ndihem shumë i vendosur në Chelsea dhe e kam shijuar vërtet kohën time në fushë këtu, kështu që jam shumë i kënaqur që klubi dëshiron që unë të jem pjesë e projektit afatgjatë dhe jam shumë i lumtur që nënshkruaj këtë zgjatje të kontratës sime”, tha ai për faqen zyrtare të klubit.
“Ne po punojmë shumë për sukses dhe do të bëj çmos që të sjell më shumë buzëqeshje në fytyrat e fansave që më kanë bërë të ndihem kaq i mirëpritur”, shtoi Chilwell.
26-vjeçari është pjesë e Chelseat nga viti 2020. Ai deri më tani ka regjistruar 80 paraqitje, teksa ka shënuar nëntë gola.
Ben Chilwell me Chelsean e ka fituar Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën e Evropës.