Christian Eriksen tregon çka i tha tifozi qe hyri në fushë

09:38 | 22 Mars 2019

Kosova dhe Danimarka kanë luajtur mbrëmë në Prishtinë ndeshje miqësore.

Mbrëmë, ylli i Tottenhamit dhe Danimarkës, Christian Eriksen, luajti në “Fadil Vokrri”, për ndeshjen miqësore ndaj Kosovës. Afër fundit të ndeshjes, një tifoz hyri në fushë dhe e përqafoi danezin. Tani, futbollisti ka treguar çfarë i tha tifozi.

Gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes Kosovës dhe Danimarkës, Erikseni u inkuadrua në lojë gjatë pjesës së dytë, pasi që trajneri Age Heraide kishte vendosur ta pushonte gjatë pjesës së parë, raporton Gazeta Express.

Ai e shënoi një gol në barazimin me rezultat 2:2 ndaj Kosovës, mirëpo një tifoz kosovar nuk ishte aspak i zemëruar për këtë gol të danezit.

Ai u fut në fushë afër përfundimit të ndeshjes dhe e përqafoi Eriksenin, duke mos e lëshuar atë. Kur sigurimi arriti ta largojë atë nga fusha, ai doli duke e bërë shqiponjën me duar.

“Por, ai nuk më tha ndonjë gjë me të vërtetë. Mendoj se arriti të thotë “fanellë” kur po largohej nga sigurimi. Por, unë mbeta mjaft i habitur kur ai më përqafoi aq fort. Ishte një gjë e re për mua”, ka thënë Eriksen.

Kosova e mbylli pjesën e parë duke qenë në epërsi me rezultat 1:0, pas golit të shënuar nga qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, në minutën e 42-të të ndeshjes, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje miqësore erdhi me tri gola të tjera. Fillimisht ishin danezët ata që e barazuan rezultatin, përmes Christian Eriksenit, i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 63-të të ndeshjes.

Vetëm tre minuta iu deshën djemve të Bernard Challandes për t’iu kundërpërgjigjur këtij goli. Në minutën e 66-të, Bersant Celina e kaloi Kosovën përsëri në epërsi.

Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta mbajnë rezultatin deri në fund të ndeshjes dhe danezët e nxorën një barazim përmes golit të shënuar nga Pierre-Emile Hojbjerg, në minutën e 91-të.

Komento: