Christopher Hill thotë se Serbia mund të kërkojë kthimin e trupave në Kosovë: NATO ka të drejtë të thotë “jo faleminderit”

22:37 | 29 December 2022

Hill: Serbia mund të kërkojë kthimin e trupave në Kosovë, por edhe NATO ka të drejtë të thotë “jo faleminderit”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është e rëndësishme të përfitohet nga nxitimi drejt zgjidhjes politike për Kosovën pas festave të janarit.

Hill tha se ajo që duam të shohim është një mënyrë politike për të qetësuar gjithçka, për ta kthyer në një situatë normale.

“Këto janë sfida të mëdha dhe ndërkohë kemi një krizë. Problemi kur ke krizë është se është gjithnjë e më e vështirë. Mund të ndodhë që në fund të ndodhin ngjarje shumë të papritura dhe kjo zakonisht është e keqe për një krizë, kështu që unë jam shumë i shqetësuar,” tha Hill.

Për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, Hill tha se e sheh si sinjal pozitiv dhe se u arrit pika ku ata që i kanë vendosur vetë po i heqin.

Ai shton se e kupton shkallën e lartë të zhgënjimit në komunitetin serb në Kosovë dhe se mendon se e gjithë kjo me barrikada është pikërisht rezultat i atyre frustrimeve.

“Por ne po arrijmë në pikën ku ata që i vendosën tani duhet t’i heqin ato. Me njerëzit duhet të flitet dhe kjo është ajo që po ndodh,” tha Hill, duke shtuar se ai gjithmonë “ndiente se zgjidhja më e qëndrueshme dhe më e mirë që barrikadat të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur”.

“Dhe kjo është ajo që përfundoi duke ndodhur. Kështu që unë mendoj se në këtë drejtim ne jemi shumë me fat që barrikadat po hiqen,” tha Hill në intervistë për EuronewsSerbia.

I pyetur për kërkesën e Serbisë, për kthimin e forcave serbe në Kosovë, bazuar në rezolutës 1244, ambasadori Amerikan tha se Beogradi mund të kërkojë, por edhe NATO ka të drejtë të thotë “jo faleminderit”.

“Unë do të thosha se 1244 përcakton shumë qartë rrethanat në të cilat Serbia mund të kthejë një numër të caktuar të forcave të saj, kjo është thënë qartë atje dhe Serbia, do të thosha, sigurisht që ka të drejtë ta kërkojë, por edhe NATO ka të drejtë të thotë : por jo faleminderit”, u shpreh ambasadori Hill.

Tutje theksoi se në çdo rast, Kosova nuk ka nevojë për më shumë ushtri, Kosova ka nevojë për më shumë zgjidhje politike.

“…Kosova ka nevojë për më shumë vullnet, gatishmëri për të hyrë në një dialog të vërtetë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe një mënyrë për të ecur përpara. Pra nuk është çështje forcash ushtarake, por çështje vullneti politik. Do të doja të tërheq një dozë optimizmi nga kjo krizë e fundit që kemi kapërcyer dhe ecim përpara”, u shpreh Hill.

Komento: