Cila do të jetë oferta e Albin Kurtit për Vjosa Osmanin

13:50 | 28 Dhjetor 2020

“Numri 1 në listë zgjedhore”, cila do të jetë oferta e Albin Kurtit për Vjosa Osmanin.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, sipas deklaratave të zyrtarëve të VV’së dhe njerëzve rreth Osmanit, pritet që së bashku t’i futen zgjedhjeve të ardhshme. Dyshes që s’e ka ndalur bashkëpunimin qysh prej kohës kur premtonin “koalicionin e shpresës” do të duhet të bëjnë kompromise për një marrëveshje. Nëse Osmani bëhet pjesë e listës së VV’së, cila do të jetë pozita e saj? A do t’ia ofrojë sërish Kurti numrin 1 në listë?

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk e kanë mohuar asnjëherë se janë duke shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet e reja. Përkundrazi, deklaratat nga dy kampet kanë treguar gatishmëri për të hyrë bashkë në zgjedhje.

Zyrtarja e lartë e VV’së, Arbërie Nagavci, ka thënë se Osmani pritet ta bëjë një listë të vetën, e më pas t’i bashkëngjitet Vetëvendosjes.

“Varet sesi do të shkojë në zgjedhje Osmani. Për aq sa ajo ka deklaruar dhe kemi parë deri më tani sigurisht që do të krijojë një listë zgjedhore dhe do të garojë bashkë me ne në listën e përbashkët. Ne besojmë që do të garojmë bashkërisht në këto zgjedhje dhe do të fitojmë shumicën”, theksoi ajo më tej”, ka thënë Nagavci.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave, vetë Osmani ende nuk ka treguar se çfarë plani ka para zgjedhjeve që pritet t’i shpallë vet.

E vetmja gjë që ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit pas përjashtimit nga LDK-ja është se po bisedon me Kurtin, e se do të krijojë një iniciativë qytetare.

Në iniciativën që ende nuk është zyrtarizuar, Osmanit iu janë bashkangjitur edhe pesë asamblistë të LDK-së në Komunën e Ferizajt, e disa anëtarë të ish-LDK-së në Mitrovicë.

Ajo se çka mbetet mister, të paktën deri më tani është se cili do të jetë bashkëpunimi i Kurtit dhe Osmanit.

Gjërat janë komplikuar sidomos pas lajmit se Albin Kurti mund të mos ketë të drejtë të kandidojë për deputet të Kuvendit.

Nëse pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese del se kreu i LVV-së nuk mund të jetë numri 1 në listë zgjedhore, atëherë dikush në vend të tij duhet ta marrë këtë “detyrë”. Albin Kurti, sipas interpretuesve të aktgjykimit, nuk mund të jetë kandidat për deputet, por mund të jetë kandidat për kryeministër.

Por, a do ta bëjë këtë “kompromis të dhimbshme” Kurti për t’ia lejuar pozitën Vjosa Osmanit?

Nuk dihet se si do të shkojnë negociatat mes palëve, mirëpo, kjo ofertë kishte kaluar një herë ka zyrat e LDK-së.

Pikërisht, pak minuta para se në KQZ të mbyllej afati për të dorëzuar koalicionet zgjedhore, Kurti kishte publikuar një ofertë të minutave të fundit për Isa Mustafën.

Ai i kishte ofruar Lidhjes Demokratike numrin 1 në listë zgjedhore, ofertë kjo që nuk ishte pranuar nga LDK-ja.

“Sot duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj. Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes Vetëvendosje!, varësisht cili merr më shumë vota”.

“Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj. Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Mustafa kishte thënë se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e Osmanit, prandaj shkruhej se ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.

“LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udhëheqë vendin. Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët. Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë. LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerrë vendin nga izolimi”, thuhej në reagimin e Mustafës.

Analisti Astrit Gashi ka thënë për Gazetën Express se më e mundshme është që Osmani të radhitet e dyta në listë.

“Mendoj që është më e mundshme është nr.2 në listë sesa vendi i parë. Ndonëse duket shumë e lehtë t’i ofrohet nr.2 kjo megjithatë nuk do të jetë shumë e lehtë për VV-në sepse do duhet lëvizur më poshtë me kandidat të fortë të tyre, por Albin Kurti sot e ka fuqinë brenda VV që ta bëjë këtë”, tha ai.

Gashi shton se varet edhe sa kandidatë për deputetë ka iniciativa e Osmanit në listë.

“Sa i përket rolit të Vjosa Osmanit brenda një koalicioni me VV, që ende nuk është dakorduar, do të varet jo vetëm nga numri që do të bartë ajo por edhe nga ajo se sa kandidatë të listës së saj do të jenë brenda 10-shes së parë, si dhe nëse do t’i ketë 20 apo 30 deputetë në kuadër të 110 kandidatëve të koalicionit.

Por, më shumë se gjithçka roli do të kuptohet kur të shohim emrat që Lista do të ketë për deputet sepse aty do të shihet se cila është fuqia e saj”, ka thënë ai për Gazetën.

Në Vetëvendosje tashmë kanë nisur me publikimin e sondazheve për zgjedhje. Në bashkëpunimin me Vjosa Osmanin pretendojnë një numër të madh të deputetëve.

Komento: