Cilat parti e kanë shkatërruar Kosovën, ja ҫfarë thotë Milaim Zeka

19:30 | 18 June 2019

Deputeti Milaim Zeka thotë se PDK dhe LDK janë dy partitë që e kanë shkatërruar Kosovën.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zek ka folur për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, formimin e partisë së tij, si dhe për Samitin e Parisit.
Zeka ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke thënë se vota e tij do të jetë pro rrëzimit të Qeverisë.

Gjithashtu, ai ka fajësuar edhe dy partitë politike, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për situatën në të cilën gjendet vendi.

“Kjo qeveri duhet të rrëzohet. Avdullah Hoti është njëri nga përgjegjësit kryesor të kësaj gjendje kaotike në Kosovë. Dy parti e kanë shkatërruar Kosovën, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Dhe në qoftë se ky elektorat nuk i ndëshkon politikanët gënjeshtarë që vetëm premtojnë dhe nuk realizojnë asgjë, lë të vazhdojnë atëherë kështu”, ka thënë Zeka gjatë intervistës në Tegrafi.com.

Ai ka thënë se gjendja në Kosovë është e keqe, sa i përket shëndetësisë dhe arsimit.

“Si ka mundësi që buxheti kryesor i Republikës së Kosovës të shkojë në asfalt, si ka mundësi që spitalet t’i kemi copa-copa, shkollat copa-copa, si ka mundësi që një kryeprokuror si Aleksandër Lumezi është i vendosur për të punuar për Hashim Thaçin dhe jo për shtetin”, ka pohuar deputeti Zeka.

I pyetur se a do të ketë zgjedhje nacionale gjatë vitit 2019, Zeka deklaroi se këtë përgjigje e dinë vetëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke shtuar se arkitektë kryesor të kësaj qeverie janë Hashim Thaçi dhe Rrahim Pacolli, por që pasi Pacolli më nuk është në skenën politike, për këtë vendos Thaçi.

Komento: