Cili është synimi i Francës dhe Gjermanisë për dialogun Kosovë – Serbi

18:39 | 01 May 2019

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të jetë temë shumë e diskutuar në vend dhe jo vetëm.

Shumë nisma e thirrje ndërkombëtare për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri më tani nuk kanë bindur Prishtinën dhe Beogradin që të kthehen në tavolinën e negociatave për të finalizuar këtë proces me një marrëveshje, të paralajmëruar edhe si historike.

Krahas rolit lehtësues të Bashkimit Evropian në këtë proces, inkurajimi dhe mbështetja për arritjen e një marrëveshjeje, palëve u kanë ardhur muajve të fundit edhe nga vetë presidenti amerikan Donald Trump, që shprehet përmes letrës që ai u pati drejtuar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Gjermanisë e Francës, të cilat rolin e tyre e theksuan edhe në Samitin e fundit të Berlinit.

Por, aktualisht, janë vetë palët në bisedime ato që nuk kanë arritur lëvizin nga pozicionet fillestare për t’u kthyer në tavolinën e negociatave.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë se pas ngecjes së procesit të dialogut nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, tani Gjermania dhe Franca të cilat po ashtu janë pjesë e BE-së, mund t’i japin një dimension të ri të dialogut, marrë parasysh peshën politike që kanë Berlini dhe Parisi dhe kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron.

“Ndryshe është kur bisedimet zhvillohen mes kancelares Merkel e presidentit Macron dhe përfaqësuesve nga Kosova dhe Serbia dhe ndryshe kur ato organizohen nga një burokrate si Federica Mogherini (Përfaqësuesja e Lartë e BE-së). Pra, niveli është shumë më i lartë dhe investimi ishte shumë më i fuqishëm nga ana e Gjermanisë dhe Francës, prandaj ky mund të konsiderohet edhe si hapi i parë që këto dy vende me peshë të jashtëzakonshme në politikën evropiane e botërore, të angazhohen në mënyrë më serioze për gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhaxhiri.

Edhe Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se Gjermania dhe Franca kanë filluar të zotërojnë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas një studimi të prezantuar nga ky Grup, shprehet edhe skepticizmi që në këto rrethana mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare në një të ardhme të afërt.

“Ndonëse në këtë Samit nuk është bërë i qartë përkufizimi i vazhdimit të dialogut, ai ka filluar të marrë një formë të re dhe është ridizajnuar në njëfarë forme, duke qenë se tani kemi një përfshirje të drejtpërdrejtë të Francës dhe Gjermanisë në këtë proces dhe kjo mbështetet nga deklaratat pas Samitit, se një takim i radhës do të mbahet në muajin korrik”, tha Kryeziu.

Beogradi e ka vënë kusht të padiskutueshëm për vazhdimin e dialogut heqjen e taksës doganore të cilën autoritetet e Kosovës ua kanë vënë importeve nga Serbia që nga nëntori i vitit 2018. Kurse për Prishtinën zyrtare, mbajtja në fuqi e taksës mund të kuptohet edhe si blerje kohe, për shkak të mungesës së një konsensusi të brendshëm politik rreth përfaqësimit dhe përmbajtjes së bisedimeve.

Ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili deklaroi në Berlin se procesi i dialogut ka devijuar dhe se taksa është vënë si pasojë e veprimeve të Serbisë të cilat, siç ka thënë ai, e kanë rrezikuar planin e sigurisë nacionale të Kosovës.

“Taksa është vënë si masë mbrojtëse pasi që Serbia na ka rrezikuar në planin e sigurisë nacionale. Zgjidhja është te marrëveshja për njohje, ku përfshihen të gjitha temat tjera”, ka thënë Haradinaj.

Artan Muhaxhiri thotë se ngjashëm me thirrjet e mëhershme ndërkombëtare, edhe nga Gjermania e Franca lidershipeve në Prishtinë e Beograd iu bënë thirrje që t’i heqin pengesat dhe barrierat në dialog dhe të ulen e të bisedojnë për të përmbyllur jo vetëm konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të përmbyllur një prej problemeve më të mëdha në Ballkan. Por, që dialogu të ketë sukses, ai thotë se do të duhet të ndryshohet edhe qasja që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë ndaj këtij procesi.

“Qëndrimet ishin të kundërta mes palës kosovare dhe asaj serbe, mirëpo edhe vetë brenda palës kosovare pati paqartësi, pra në qëndrimet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, kështu që e gjithë kjo është një simbolikë se procesi ka degraduar dhe nevojitet të ndryshohet qasja e deritashme. Pra, deri më tani kishte një qasje shumë të qetë e cila nuk ka sjellë rezultat kështu që nëse BE-ja dëshiron ndonjë rezultat, atëherë qasja duhet të ndryshojë”, tha Muhaxhiri.

Pas Berlinit, një përpjekje tjetër për të zhbllokuar bisedimet pritet të ndodhë në korrik, kur në Paris do të ftohen liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Bazuar në analiza e deklarata politike, interesimi i shtuar i Gjermanisë dhe Francës për t’u përfshirë në mënyrë më aktive në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndërlidhet edhe me qëndrimin e këtyre dy vendeve kundër idesë për ndryshimin e kufijve, që doli nga akterët e bisedimeve në Bruksel, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Komento: