Xheladin Zeneli në një linje direkte nga Amerika për Kanal 10 ka folur për rëndësinë e zgjedhjeve amerikane për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka thënë se nuk dihet në përqindje se sa shqiptarë votojnë për Trump apo Harrisë, megjithatë thotë se ka pasur përkrahje për të dy kandidatët.
I pyetur se cili kandidat është më i mirë për Ballkanin, ai ka thënë shqiptarëve u konvenon një president që ndal influencën ruse në Ballkan.
“I kemi dëgjuar këto deklaratat e Trump që ka thënë se luftën në Ukrainë do ta ndal me një telefonat, por kurrë nuk ka thënë se si do ta dal, mendoj se ai anon nga ajo se lufta mund të ndalet duke e kënaqur Putinin me territoret që i ka zabtuar Rusia, ky do të ishte një mesazh shumë i keq për shqiptarët, sepse nëse ato territore i jepen Rusisë do të ishte një mesazh shumë i keq për shqiptarët, sepse pastaj edhe Serbia do të marrë zemër dhe do të thotë se do t’i marrë në Kosovë”, ka thënë ai.
Tutje Zeneli ka thënë se Trump ka me tepër marrëdhënie me individ pra me presidentë.
“Një gjë është e faktuar Trump si president e kemi parë për 4 vite, i dimë qëndrimet e tij, ndërsa për Kamala Harris nuk e dimë, ajo çka dimë është se ajo mund të jetë vazhdimësi e Joe Biden, ajo çka ka qenë frymëzuese kohët e fundit ka qenë letra që Harris i ka nisu komunitetit shqiptarë, një letër domethënëse dhe përmbajtëse. Nëse ajo zgjidhet presidente do të jetë e rrethuar me njerëz që e njohin Ballkanin. Në anën tjetër Trump, ne e dimë se si është ai dhe si ju qaset çështjes politike. Trump ka me tepër marrëdhënie me individ me presidentë e këto janë disa çështje që nuk tingëllojnë mirë për një lider të SHBA-së, por ky është Trump”, tha ai. /Gazeta 10/