Duket se Çekia po e përkrah anëtarsimin e Kosovës në INTERPOL.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka udhëtuar sot për në Pragë, ku ka takuar homologun e tij, Tomas Petricek.
Pacolli thotë se nga ministri çek ka marrë përkrhaje për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Përveç kësaj, Pacolli thotë se ka marrë mbështetjen e Çekisë për proceset integruese të Kosovës.
“Vizitë e ngrohtë dhe shumë mikpritëse në Pragë. Në takim me ministrin e jashtëm të Çekisë, Tomas Petricek, një mik i Kosovës dhe përkrahës i proceseve integruese të vendit biseduam për thellimin e marrëdhënieve tona dhe ndërtimin e një partneriteti gjithëpërfshirës, në të gjitha fushat me theks në zhvillimin ekonomik dhe të investimeve”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka treguar se kanë diskutuar edhe për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor.
“Ngritëm çështjen për zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mënyrat e bashkëpunimit për të ndërtuar të ardhmen në BE.
Ministri Petricek përshëndeti të arriturat tona dhe u zotua për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj demokratike dhe të konsolidimit ndërkombëtar. Gjithashtu mirëpriti dhe mbështeti punën e bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara për Kosovën në liberalizim të vizave.
Ministri Petricek tha se Çekia do ta mbështes Kosovën në anëtarësimin e saj në INTERPOL, siç ka bërë edhe në të kaluarën. U pajtuam se na duhet thellim i marrëdhënieve tona në të gjitha fushat.
Ftova mikun tim Petricek për ta vizituar Kosovën që së bashku të shohim përparimet e mëdha të bëra ndër vite”, ka potencuar ndër të tjera Pacolli.