Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), ka kritikuar ashpër Përfaqësuesin e Lartë të diplomacisë për BE, Josep Borrell, lidhur me deklaratat e tij për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Çitaku ka thënë se “gënjeshtrat e Borrellit vërtetojnë politizimin” e gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.
“Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!”, ka thënë Çitaku.
“Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”, vijon ndër të tjera deklarimi i saj.