Pas videos së VV-së, reagon Çitaku: E vetmja e arritur e juaja është rikthimi i agregatëve.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas publikimit të videos së fundit nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kritikon dhe akuzon qeveritë e kaluar për gjendjen energjetike ndër vite.
Çitaku ka thënë se VV ka sabotuar çdo projekt që ka synuar rritjen e kapaciteteve gjeneruese dhe pavarësinë energjetike. Sipas saj, Qeveria Kurti nuk ka sjell as projektin e MCC për energjinë.
“Ama bash secilin, prej ndërtimit të termocentralit me thëngjill Kosova e re, deri tek kyqja në gazsjellësin e mbështetur nga SHBA-të. Qeveria Kurti nuk e ka sjellë as projektin e MCC, e as ndonjë projekt tjetër në Kosovë”, ka shkruar ajo.
Sipas Çitakut, arritja e vetme e qeverisë së VV-së, është rikthimi i gjeneratorëve dhe vendosja e çmimeve të larta të energjisë.
“E vetmja e arritur e kësaj qeverie është rikthimi i agregatëve dhe çmimeve më të larta të energjisë që qytetari ynë ka paguar ndonjëherë. Nuk qeveriset me propagandë. Qeveriset me punë. Aman, punoni diçka”, ka shkruar ajo.
VV, nëpërmjet një videoje të fundit, ka akuzuar qeveritë e kaluara se e kanë lënë në terr vendin, ndërkohë që ka listuar disa prej sukseseve të saj, duke e arsyetuar gjendjen e vështirësuar energjetike në vend, me krizën energjetikë në botë.