Çitaku: Qeveria po i përdorë ambasadat dhe burimet e shtetit për fushatë elektorale

14:08 | 09 November 2024
citaku:-qeveria-po-i-perdore-ambasadat-dhe-burimet-e-shtetit-per-fushate-elektorale

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sot, në një konferencë për media, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të mos i përdorin ambasadat për siç u shpreh ajo, qëllime partiake e fushatë elektorale.

“Ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme, po keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij, në mjete për përfitime partiake”

“Qeveria e Republikës së Kosovës po tenton që të kamuflojë agjendën partiake si punë zyrtare dhe qeveritare, por qëllimi i tyre është mëse i dukshëm. Kjo sjellje e qeverisë nuk është vetëm zhgënjyese, është e papranueshme dhe është e turpshme dhe mbi të gjitha është manipulim, tentim për manipulim të diasporës tonë, e cila meriton më mirë”, është shprehur ajo.

Sipas saj, kjo sjellje e qeverisë nuk është vetëm zhgënjyese, por siç u shpreh, është e papranueshme dhe e turpshme.

“Dhe, mbi të gjitha, është një manipulim i diasporës sonë, e cila meriton respekt dhe ndershmëri, jo skema të ulëta politike. Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë treguar një përkushtim të palëkundur ndaj Kosovës ndër dekada. Ata meritojnë respekt, jo manipulim”, ka thënë më tutje Çitaku.

Ajo u shpreh se në fushatën e tyre, Gërvalla e Kurti po e kalojnë çdo kufi, duke ushtruar sipas saj, presion ndaj diplomatëve të Kosovës nëpër botë, duke i detyruar që të organizojnë takime fushate nën petkun e punës shtetërore.

“Diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore. Ky manipulim i pushtetit është një abuzim i mirëfilltë. Prandaj sot, u bëj thirrje çdo diplomati që përfaqëson Republikën e Kosovës: Të mos i nënshtrohen këtij abuzimi”.

“Mos lejoni të përdoreni si instrumente në fushatën e kësaj qeverie. Kujtoni, ju jeni përfaqësues të Kosovës, jo përfaqësues të një axhende partiake. Ju keni bërë betimin për t’i shërbyer Kosovës. Kosova meriton më mirë se ju dhe oborrtarët e tu të paaftë e abuzues. 9 shkurti është fundi i këtij mentaliteti qeverisës dhe fillimi i një epoke të re me Qeverinë Hamza. Kosova mundet ma mirë. Kosovën do ta bëjmë më të mirë”, tha Çitaku.

Komento: