City ndalet nga Tottenham

20:58 | 17 Gusht 2019

City nuk ka arritur të fitojë më shumë se një pikë sonte.

Manchester City ndalet që në javë ne dytë të Premier Leagues, teksa nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 përballë Tottenhamit në “Etihad Stadium”, në një sfidë që ishte vërtetë emocionuese dhe spektakolare.

Sfida nisi e vrullshme për vendasit që zhvendosën lojën në gjysmëfushën e londinezëve dhe pas disa rastesh radhazi, arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 20-ë me anë të sulmuesit Raheem Sterling.

Sinjalet ishin se do të kishim një fitore të lehtë të “citizens”, por vetëm tre minuta pas golit të Sterling, ishte argjentinasit Eric Lamela që u la i lirë jashtë zonës së 16 metrave dhe goditi saktë duke dërguar topin në rrjetë dhe rikthyer baraspeshën.

Në minutën e 35-të ishte një tjetër argjentinas, Sergio Aguero, i cili kaloi kampionët në fuqi në avantazh, pas një goli të shënuar pas asistit të fantazistit belg Kevin De Bruyne, duke çuar Cityn në dhomat e zhveshjes në avantazh.

Në minutën e 56’ Pochettino vendosi të aktivizojë brazilianin Lucas, i cili sapo vuri këmbët në fushën e blertë, gjeti menjëherë golin e barazimit, pas një topi të marrë nga argjentinasi Eric Lamela.

Të njëjtën gjë tentoi të bëjë edhe Guardiola, duke larguar nga fusha Agueron, për të hedhur Gabriel Jesus, por provokoi një reagim tejet nervoz mes palëve, që debatuan për disa sekonda me tone të ngritura.

Në minutat shtesë Gabriel Jesus arriti të marrë një top në zonë dhe ta dërgojë në rrjetën e portës së Hugo Lloris, por VAR anuloi golin, pasi topi ishte prekur më herët me dorë nga mbrojtësi i “Citizens”, Aymeric Laporte.

Goli u anulua, por ndërkohë që arbitri konsultohej me VAR, pati kohë edhe për një përqafim sqarues mes Guardiolës dhe Agueros, me argjentinasin që e kuptoi gabimin dhe bëri paqe menjëherë me teknikun.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim rezultati, teksa Tottenham ndali “hemorragjinë” e humbjeve në transfertë, ndërsa Manchester City detyrohet të shkëputet nga kreu që në javën e dytë të kampionatit.

Komento: