Hashim Thaçi ka folur për takimet me Vuçiqin pa praninë e kamerave.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka rrëfyer për herë të parë se me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar disa takime pa praninë e kamerave.
“Jam takuar jashtë kamerave në Bruksel, Vatikan nëpër ceremoni të ndryshme, gjithashtu edhe në Paris, edhe Vjenë e Nju Jork. Kemi diskutuar hapur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, jo diçka nga ajo që kam theksuar në konferenca për shtyp. Faza e fundit e dialogut ka kuptim për Kosovën vetëm nëse ndodh njohja dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB”, u shpreh Thaçi.
Thaçi tha në një intervistë në RTSH se arritja e marrëveshjes me Serbisë është po aq fisnike sikurse ishte madhështore fitorja dhe Pavarësia e Kosovës.
Sipas tij, Kosova, pa anëtarësim në organizata të fuqishme ndërkombëtare mbetet e izoluar.
“Nuk mund të bëhemi Palestina e Ballkanit Perëndimor. Nuk e toleroj me asnjë rrethanë dhe asnjë çmim një marrëveshje që s’e garanton njohjen reciproke dhe anëtarësimin në OKB. Nuk lejoj Asociacion me kompetenca ekzekutive që krijon “Republika Srpska” dhe e defunksionalizon shtetin e Kosovës. Nuk lejoj as të diskutohen”, – vijoi ai.