Çka deklaroi Rrahman Rama në gjykimin për rastin “Veteranët” – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Çka deklaroi Rrahman Rama në gjykimin për rastin “Veteranët”

11:11 | 26 Dhjetor 2019

Deklarata e Rrahman Ramës në gjykimin për rastin “Veteranët”.

Më 5 dhjetor 2019, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama, kishte dhënë dëshminë e tij në rastin e njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, po akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

Dëshmia e Ramës, nuk ishte lejuar të bëhej publike, pasi që në seancën e 4 dhjetorit 2019, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka Mekaj, kishte marr vendim që asnjë dëshmi e dëshmitarëve mos të publikohet në media, derisa sipas saj, të përfundojë procedura e të provuarit.

Kjo me arsyetimin se një formë e tillë e publikimit të deklaratave të dëshmitarëve dëmton procesin gjyqësor në këtë rast.

Gjithashtu, sipas aktvendimit, ishte ndaluar publikimi i emrave të dëshmitarëve, duke bërë që atyre t’u referohen vetëm me iniciale. Vendimin e gjyqtares për mos publikim të dëshmive e kishte kundërshtuar i akuzuari Shukri Buja, mirëpo i njëjti kundërshtim nuk ishte marr parasysh.

Pasi që në seancën e 24 dhjetor 2019, kishte përfunduar dëshmia e të gjithë dëshmitarëve të propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale, gjykatësja Kuka-Mekaj kishte thënë për “Betimi për Drejtësi”, se tashmë mund të publikohen dëshmitë e dëshmitarëve.

E duke iu përgjigjur pyetjeve të gjykatëses Kuka-Mekaj, në seancën e 5 dhjetorit, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, në cilësi të dëshmitarit, kishte deklaruar se edhe ai, si shumë të tjerë, kishte pasur informacione për fryrje të numrit të veteranëve.

“Kom pas informacione si krejt tjerët që jon fry listat. Nuk kemi pas mundësi t’i parandalojmë që të mos miratohen këto lista”, kishte dëshmuar Rama, pasi ishte pyetur nga gjykatësja Kuka-Mekaj se a kishin qenë ata si Komision se ishte rritur numri i veteranëve.

Meqenëse, kishin pasur dyshime për fryrje të numrit të veteranëve, gjykatësi Kujtim Krasniqi e kishte pyetur Ramën se a kishte pasur mundësi Komisioni Shtetëror i Verifikimit, që të rishikojë të gjithë procesin, mirëpo, një gjë e tillë sipas Ramës nuk kishte mundur të bëhej.

Në dëshminë e tij, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, kishte thënë se ka qenë anëtar i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si pjesë e tij kishte vepruar sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

Rregulloren e këtij komisioni, Rama kishte thënë se e kishin bërë vet ata si komision, mirëpo kishte thënë se nuk i kujtohet saktë kur ishte bërë një gjë e tillë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit special, Enver Krasniqi, se a i kujtohet rregullorja me numër 23/2012 e nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, Rama kishte thënë se i kujtohet duke shtuar se roli i tij në komision kishte qenë i njëjtë si i krejt anëtareve tjerë.

Mbledhjet e komisionit, sipas Ramës ishin ftuar nga ana e kryetarit të komisionit dhe se çdo mbledhje kishte pasur agjendë dhe çdo gjë kishte shkuar sipas procedurave, ndërsa vendimet në këto mbledhje, për aq sa tha se kishte marr pjesë Rama, ishin marr me shumicë votash.

Rama e kishte pranuar gjatë dëshmisë së tij, se gjatë periudhës së verifikimit të statusit të veteranit, kishte ngritur një shqetësim se nuk po përdoreshin standarde të njëjtat për të gjithë.

Fajin për këtë mos trajtim të njëjtë, Rama kishte thënë se ka mundur të ketë edhe mos kuptimi i ligjit që ka qenë dashur të zbatohet.

Rama e kishte shpjeguar edhe se si kishte shkuar në praktikë verifikim i listave, ku kishte thënë se të gjitha listat janë ndarë sipas zonave dhe vlerësimin e zonës së tij, atë të Shalës e kishte bërë ai vet me të gjitha nivelet e hierarkisë.

Dëshmitari Rama, kishte thënë se çka do të përmbajë aplikacioni e kishin përcaktuar ata vet si Komisioni Verifikues, i cili aplikacion tha se ka përmbajtur të dhënat personale të aplikuesit, sqarimin se ku ka shërbyer ai, në cilën periudhë dhe të sqarojë se kënd e ka pasur përgjegjës dhe të sqarojë po ashtu një prej betejave ku ka marr pjesë.

Pasi prokurori Krasniqi e kishte pyetur nëse ka pasur ndonjë pjesë ku ata si komision janë nënshkruar, Rama tha se ka qenë faqja 3 e aplikacionit ku është dashur të nënshkruhen ata por siç tha, as ai vet e as të tjerët nuk ishin nënshkruar.

Rama kishte vazhduar dëshminë e tij duke thënë se kompetencë e komisionit ka qenë që në momentin kur kanë përfunduar aplikimet dhe në momentin kur kanë marr informacion nga sekretariati, ata janë marr pastaj me verifikimin e aplikacioneve për zonën e secilit.

Kriteri bazë për tu njohur si veteran luftëtar, sipas Rama ka qenë që aplikuesi të ketë qenë i angazhuar nga fillimi deri në fund të luftës, të ketë qenë i uniformumar, i armatosur dhe të ketë kryer të gjitha obligimet që kanë dal gjatë asaj periudhe. Krejt këto, Rama kishte thënë se është dashur të shënohen në faqen 2 të aplikacionit.

Lidhur me këtë, prokurori Krasniqi e kishe pyetur nëse është dashur të konfirmohen të gjitha këto të dhëna nga komisioni verifikues.

Rama ishte përgjigjur duke thënë se verifikimi i çdo aplikacioni në nivel të zonës së Shalës është bërë nga komandantët e brigadës, batalionit dhe kompanisë të cilët ishin nënshkruar në aplikacione dhe se minimum tre nënshkrime kanë qenë dashur të jenë në aplikim.

Dëshmitari kishte thënë gjatë dëshmisë së tij, se nuk i kujtohet që është diskutuar në komision çështja e aplikimeve nga aplikuesit që kishin marr pjesë në luftërat jashtë Kosovës pas vitit 1999, pasi për një gjë të tillë u pyet nga prokurori Krasniqi.

Sa i përket ankesave nga palët e pakënaqura, Rama kishte thënë se vet ata si komision janë marr me ato ankesa.

“Kush ka vendos që i njëjti komision që e ka bo verifikimin e aplikimeve të bëj edhe shqyrtimin e ankesave”, ishte pyetja pasuese e prokurorit Krasniqi.

“Ne si komision verifikues i zonës, duke nisur nga ajo që askush nuk i ka njohur më mirë se ne ato procedura të verifikimit”, ishte përgjigja e Ramës.

Numri i ankesave, Rama tha se nuk ka qenë shumë i madh ndërsa nga ato që ishin bërë, vetëm 1 apo 2 % ishin aprovuar.

Veprimet e fundit të komisionit, Rama tha se kanë qenë futja nga ana e sekretarisë në databazë e të dhënave dhe pastaj komisioni ka filluar të lëshojë certifikatat për veteranët.

Lista me emrat e veteranëve, Rama kishte thënë se janë nënshkruar nga zinxhiri komandues, ndërsa kur ishte pyetur nëse kanë qenë të obliguar të nënshkruajnë listën përfundimtare, Rama kishte thënë se nuk e dinë nëse e kanë pasur këtë obligim duke shtuar se nuk kishte qenë prezent në mbledhjen e fundit.

Certifikatat e veteranit luftëtar, Rama kishte thënë se i ka nënshkruar Agim Çeku si kryetar i komisionit, ndërsa këto certifikata ishin lëshuar në bazë të dhënave të ofruara nga zonat operative.

Pyetje dëshmitarit i kishte parashtruar edhe mbrojtësi i Agim Çekut, avokati Ramë Gashi, i cili Ramën e kishte pyetur se për çfarë qëllimi ishin nënshkruar i gjithë zinxhiri komandues në lista.

Qëllimi kryesor, ishte përgjigjur Rama, kishte qenë sepse ky zinxhir komandues i ka njohur personat që kishin aplikuar pasi edhe kishin luftuar së bashku.

Avokati Gashi e kishte pyetur dëshmitarin nëse ka pasur listë zyrtare për pjesëmarrjen e të gjitha kategorive të dala nga lufta pyetje, e cila u kundërshtua nga prokurori Krasniqi, por që u lejua nga trupi gjykues.

“Për zonën tem po, për krejt Kosovën nuk e di”, u përgjigj Rama.

Pyetjet e avokatit Gashi shpesh u kundërshtuan nga ana e prokurorit Krasniqi me arsyetimin se të njëjtat janë të drejtpërdrejta, për çka edhe gjykatësja Kuka-Mekaj udhëzoi avokatin t’i riformulonte të njëjtat.

Gashi i tregoi dëshmitarit se në listën e prokurorisë janë 187 persona nga Zona Operative të cilësi i përkiste Rama, të cilët nuk i plotësojnë kushtet për statusin e veteranit, për çka Rama tha se merr përgjegjësi për krejt ata për të cilët kishte nënshkruar.

Duke iu rikthyer asaj që dëshmitari kishte thënë më herët në seancë, se ligji kishte qenë i paqartë, mbrojtësi i Nuredin Lushtakut, avokati, Tahir Rrecaj e kishte pyetur dëshmitarin nëse kjo paqartësi dhe përdorim i kritereve jo të njëjta ka mundur të sjellë rritje të numrit të veteranëve.

“Ka mundur”, ishte përgjigja e Ramës.

Tutje, dëshmitari tha se edhe aplikantët kanë pasur obligime që të japin të dhëna të sakta.

Nënshkrimet e zinxhirit komandues në lista, Rama kishte thënë se kanë shkuar nga poshtë-lartë, duke filluar nga komandanti i skuadrës, pastaj ai i togës duke vazhduar tek komandanti i kompanisë, e deri te komandantët e batalionit dhe brigadës.

Rama kishe thënë se nuk i kujtohet nëse Nuredin Lushtaku kishte marr pjesë në mbledhjen e komisionit të mbajtur më 9 mars 2016, pasi për një gjë të tillë u pyet nga avokati Rrecaj.

Për dëshminë e Ramës, i akuzuari Sadik Halitjaha, kishte thënë se nuk është i kënaqur me pasi ka shumë paqartësi.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të Shkumbin Demaliajt, avokatit Arianit Koci, Rama kishte thënë se shumicën e ushtarëve të zonës së tij i ka njohur duke shtuar se ka pas edhe pjesëtar me detyra speciale që nuk kanë qenë të uniformuar.

“Nëse paska pas sipas jush, veteran të paunifirmouar, a do të thotë se edhe logjistika duke përfshirë edhe sektorin e mjekësisë kanë qenë veteran luftëtar?” e kishte pyetur avokati Koci, dëshmitarin”.

“Njerëz që kanë kryer edhe detyra speciale mund të mos jetë edhe me uniformë por patjetër duhet të jetë edhe pjesë e strukturës së UCK dhe misioni mund ti ipet prej komandantit të tij, ku përfshihen edhe mjekësinë edhe logjistiken”, ishte përgjigjur Rama.

Tutje, dëshmitari kishte thënë se nuk ka pas të drejtë të vendos për Zona tjera Operative pasi nuk kishte luftuar me ata persona dhe as nuk i kishte njohur të njëjtit.

Rama kishte thënë se nuk i kujtohet se është diskutuar për një brigade të quajtur “Hasan Prishtina”, kur ishte pyetur nga avokati Koci për një gjë të tillë.

Kur nga i akuzuari Shkumbin Demaliaj u pyet nëse aplikantët kanë mundur të ankohen në gjykatë nëse kanë qenë të pakënaqur, dëshmitari Rama ishte përgjigjur se po.

Pyetje dëshmitarit i kishte parashtruar edhe i akuzuari Shukri Buja, të cilit kryetarja e trupit gjykues, Kuka-Mekaj ia kishte lejuar edhe parashtrimin e pyetjeve të drejtpërdrejta pasi që kishte thënë se i njëjti nuk ka avokat dhe nuk mund të ketë njohuri për Kodin e Procedurës Penale.

“A jeni emëruar si anëtar i komisionit nga Qeveria dhe vendimi është nënshkruar nga Hashim Thaçi ?”, e kishte pyetur Buja, dëshmitarin, me këtë të fundit që ishte përgjigj se po.

Rama kishe thënë se me sa i kujtohet, kryetar i komisionit të verifikimit, fillimisht dikur në vitin 2011 kishte qenë Azem Syla, mirëpo tha se nuk e dinë nëse i njëjti ka qenë kryetar para se të hynte në fuqi ligji për veteranët.

Komisioni në fjalë, sipas Ramës ka punuar sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi, ndërsa ata si komision i kanë raportuar Qeverisë.

“A nënkupton kjo që edhe Qeveria ka mujt me shkarku, ose ndërprerjen e punës së komisionit për mos veprim, se për këtë po akuzohemi ?”, e kishte pyetur Buja, dëshmitarin Rama.

“Po” ishte përgjigja e shkurtë e Ramës.

Aplikacionet për veteranët, sipas Ramës ishin bazuar në ligjin e vitit 2011, ndërsa kishte thënë se nuk ka pasur mundësi ai të përzihet në punën e zonave tjera operative e as t’i ndërpres verifikimin në ato zona.

Në komision, Rama kishte dëshmuar se ka ardhur lista vetëm si numra e jo si emra.

Dëshmitari Rama e kishte pranuar se në komision ishte diskutuar edhe për marrëveshje mes partive politike lidhur me përfshirjen e strukturave të tjera në kategori të veteranëve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Artan Qerkini, që në këtë proces mbron të akuzuarin Rrustem Berisha, dëshmitari e kishte pranuar se ka pasur mundësi që aplikacioni të jetë valid me vetëm një nënshkrim, në raste kur janë bërë për direkt vartës siç janë komandat të zonave apo brigadave.

Pyetje e as vërejtje për dëshmitarin nuk kishin pasur të akuzuarit tjerë dhe mbrojtësit e tyre, mirëpo, Rama ishte rimarrë në pyetje nga ana e prokurorit Krasniqi.

Krasniqi e kishte pyetur dëshmitarin në lidhje me kategorinë e veteranit pjesëtar, pyetje e cila ishte kundërshtuar nga ana e avokatëve Qerkini dhe Skënder Musa, me arsyetimin se kjo është pyetje e re, mirëpo, përgjigja ishte lejuar nga trupi gjykues me arsyetimin se gjatë marrjes në pyetje nga të akuzuarit, dëshmitari ka dhënë përgjigje që tani PSRK është duke kërkuar sqarim dhe nuk janë pyetje te reja.

“Veteran pjesëtar janë te gjithë ata që në një formë apo tjetër kanë ndihmuar luftën. Këtu përfshihen të gjithë njerëzit që kane ndihmuar qoftë me dhënien e ushqimit, apo lirimin e pronave të tyre për ushtrime. Çështja e mjekeve e logjistikes është krejt tjetër” u përgjigj Rama, duke shtuar se në këtë kategori hyjnë edhe mbështetja politike, logjistike e financiare.

Prokurori e kishte rikujtuar dëshmitarin me një pjesë të deklarimit të tij në mbledhje të komisionit ku kishte thënë se janë disa çështje që janë duke sjellë problem dhe sikur të dinte për to nuk do të kishte pranuar fare postin dhe se kishte ngritur shqetësime për numrin e veteranëve në disa zona.

“E kom thonë se kas shqetësime që kanë ardhur edhe nga të tjerët për kritere jo të barabarta”, kishte dëshmuar Rama.

Dëshmitari Rama i ishte përgjigjur edhe pyetjeve të gjykatësve, Nushe Kuka-Mekaj dhe Kujtim Krasniqi.

Pasi ishte pyetur nga gjykatësi Krasniqi, Rama kishte thënë se lista përfundimtare është nënshkruar nga secili komandant pasi ka përfunduar procesi i verifikimit, dhe lidhur me to, ju është falur besimi komandantëve të zonave dhe në bazë të atyre listave ju është lëshuar certifikata.

“A do te thotë kjo se Komisioni Qeveritar nuk e ka pas para vetes asnjë aplikacion te asnjë personi qe ka aplikuar ne tavolinën e tyre”, e kishte pyetur gjykatësi Krasniqi.

“Nuk ka pas formular në komision. Nuk kemi pasur obligim ligjor që t’i verifikojmë.” – ishte përgjigj Rama.

Sa i përket një marrëveshje politike që është diskutuar në komision, Rama kishte thënë se ka pas vetëm diskutim, e jo diçka të shkruar.

“Përmendet disa ligje që janë aplikuar ne te njëjtën kohe dhe kane qene te paqarta. Ju si anëtar i komisionit me bashkëveprim me anëtarët tjerë të komisionit, a keni kërkuar ndonjë interpretim nga ndonjë ekspert apo parlamenti që të sqarojë çështjen dhe ju si komision te harmonizoheni për kriteret se kush duhet te jete veteran”, e kishte pyetur dëshmitarin, gjykatësi Krasniqi.

Dëshmitari ishte përgjigjur duke thënë se ai personalisht nuk ka kërkuar, mirëpo sekretariati e kishte bërë një gjë të tillë por tha se nuk e dinë nëse kishin marr përgjigje.

Kur ishte pyetur nga gjykatësi Krasniqi në lidhje me atë se a kishte pasur vërejtje se ndonjë zonë operative po përdor standarde ndryshe të verifikimit, Rama ishte përgjigj duke thënë se kishte pasur diskutime se një gjë e tillë po ndodh por pas këtyre diskutimeve tha se ishte vendosur një lloj standardi në komision për procedurat e përzgjedhjes.

“A ka qenë i njoftuar kryeministri në lidhje me ndarjen e detyrave nga komisioni?” e kishte pyetur gjykatësja Kuka-Mekaj dëshmitarin, me këtë të fundit që kishte thënë se mendon se po, pasi kjo kishte qenë detyrë e kryetarit të komisionit.

“A ka qenë obligim i kryetarit të KVSH-së, të raportoj te kryeministri për vendimet e marra dhe a ka pas ndonjë reagim nga qeveria për ndarjen e këtyre përgjegjësive”, ishte pyetja pasuese e gjykatëses, me dëshmitarin që kishte thënë se ka qenë obligim por nuk kishte pasur ndonjë reagim nga Qeveria.

Listat me emrat e veteranëve, Rama tha se ishin nënshkruar në fund nga ana e kryetarit të komisionit ndërsa detyrë e kryeministrit ka qenë pastaj miratimi i atyre listave të prezantuara nga ana e kryetarit të komisionit qendror.

Rama kishte thënë se ai mban përgjegjësi vetëm për listat e zonës së tij, e jo listën e përgjithshme pasi sipas tij, në zonat tjera nuk i ka njohur personat dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse nuk është nënshkruar në faqen 3 të aplikacionit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën e PSRK-së ndaj 12 të akuzuarve, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar pastaj edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

Komento: