Çka dëshmoi Naim Murseli para Departamentit për Krime të Rënda?

18:59 | 24 Janar 2024
cka-deshmoi-naim-murseli-para-departamentit-per-krime-te-renda?

Naim Murseli, i cili dyshohet për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës Ademajt, që ndodhet në paraburgim tash e disa muaj është dërguar sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me masa të rrepta sigurie.

Murseli, i cili dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, e ka rrëfyer versionin e tij për ngjarjen që siç tha avokatja e tij, është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale”.

Në një prononcim për Front Online avokatja Teuta Zhinipotoku tha se intervistimi do të vazhdojë në një datë tjetër.

“Sot para Prokurorisë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është ndëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale Vrasje e Rendë në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 te KPRK-së. I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale. Meqenëse sot është ndërpre deklarimi i të pandehurit për shkak të mbarimit të orarit dhe deklarimi nuk ka arritë të përfundojë, është caktuar një datë tjetër për vazhdimin e marrjes në pyetje të të pandehurit”, ka thënë ajo për Front Online.

Liridona, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor në një fshat afër Prishtinës. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin edhe të bashkëshortit në mesin e tre të dyshuarve./FrontOnline

Komento: