Çka e pret Kosovën pas 6 tetorit?

17:23 | 05 October 2019

Nesër do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Kandidatët për kryeministër kanë pasur 10 ditë kohë të shpalosin programin partiak para qytetarëve dhe të bëjnë thirrje për t’i përkrahur.

Fushata ka qenë e përqendruar edhe në debate televizive, ku shumë kandidatë për deputetë janë përplasur me njëri-tjetrin për shkak të qëndrimeve të kundërta dhe mospajtimeve nga e kaluara.

Këtë vit, nuk ka pasur koalicione parazgjedhore në mes partive më të mëdha në Kosovë. Koalicioni më i përfolur ka qenë ai në mes AAK-së dhe PSD-së. Ndërsa kur është folur për koalicione paszgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk do të hyjnë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Ndërkohë, kjo e fundit nuk ka përmendur asnjëherë vija të kuqe.

Për shkak të këtyre qëndrimeve pas zgjedhjeve pritet të ketë një ngërç politik dhe krijimi i një qeverie të re të marrë kohë.

Njësoj mendon edhe analisti politik, Ramush Tahiri. Ai për lajmi.net ka përmendur disa variante të krijimit të qeverisë së re.

“Do të ketë ngërç politik sepse gjithmonë kemi pas, nuk shoh ndonjë ndryshim as tash. Edhe do të jetë tamam mjeshtëri e madhe për me kriju qeverinë e koalicionit dhe për me i pas numrat. Në secilin variant edhe në atë nëse VV del e para, LDK ose PDK.

Variantin kur PDK del e para, VV dhe LDK janë deklaruar se nuk do të bëjnë qeveri dhe e ka problem me kriju qeverinë dhe numrin 61.

Variantin kur LDK del e para e kemi deklaratën e VV-së që sipas tyre është e vështirë për koalicion pasi e duan Albin Kurtin për kryeministër sepse mendojnë se figura është ma e fort kur kryeministri është edhe kryetar i partisë, dhe që Albin Kurti merr më shumë vota se Vjosa Osmani. Këto janë parakushtet që po ia qesin njëri tjetrin në koalicion.

Edhe LDK po deklarohet se nuk hyn në koalicion me PDK-në në asnjë variant, ndërsa bën me partitë e tjera në këtë rast edhe me VV-në por në bazë forcës që e fitojnë në zgjedhje do të thotë se nuk e ka patjetër me VV-në”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka theksuar se të vetmen qeveri që Kosova nuk e ka provuar është ajo VV-LDK dhe pakicat.

Tahiri mendon se këtë vit nuk do të ndërhyjnë ndërkombëtarët për të përshpejtuar krijimin e qeverisë, pasi sipas tij zgjedhje më ta pastërta se tani Kosova nuk ka pasur asnjëherë.

“Këtë herë nuk mendoj se kanë me ndërhy ndërkombëtarët sepse këtë herë janë zgjedhjet më të pastërta se çdo herë tjetër. Sa i përket kontekstit ideologjik, sepse nuk kemi koalicione të mëdha por gjitha partitë e mëdha kanë dal veç e veç dhe modeli është i pastër, pasi po duan ta provojnë vetveten dhe janë deklaruar se nuk ja japin kryeministrin askujt”.

Për shkak të postit të kryeministrit, Tahiri thotë se do ketë krizë qeveritare

“Këtë bazë e shoh një krizë qeveritare, por duhet me uru që zgjedhjet me qenë të mira të ndershme të lira që qytetarë me dal ma shumë dhe vullneti i qeverisjes me qenë vullnet i qytetarëve dhe jo pazareve, sikurse ka ndodhur”, ka përfunduar Tahiri.

Komento: