Pronari i kompanisë që shkaktoi aksidentin në Gjilan nuk është intervistuar.
Enis Tigani, pronari i kompanisë “Uji i Pejës” automjeti i të cilës kompani shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan nuk është intervistuar ende nga Prokuroria e Gjilanit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, për Gazetën Online Insajderi, ka konfirmuar se përgjegjësit e kësaj kompanie nuk janë intervistuar ende. Por ka thënë se intervista është caktuar për ditën e nesërme.
“E kemi kontaktuar ai ka qenë sigurisht me i vozitu ata se çfarë ka ndodhë, ne kemi qenë duke i bërë disa ekzaminime dhe nesër do t’i përgjigjen pozitivisht për shkak se ne i kemi ftuar për intervistë dhe do të shkojmë më tutje me hetimet. Nesër paradite do të vinë në intervistë”, ka deklaruar Maloku.
Maloku fillimisht ka thënë se për ta kuptuar arsyen e vërtetë të aksidentit është ende herët, por që sipas dyshimeve të para është se aksidenti ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të frenave.
“Tash është fillimi i hetimeve, mirëpo dyshimi është për eventualisht për çështje teknike, për shkak se dyshohet se ka pasur probleme teknike, mirëpo ne nuk mund të themi asgjë pa një ekzaminim, mirëpo mendojmë se ka qenë defekti teknik që ka shkaktuar këtë tragjedi”, ka deklaruar ai për Insajderin.
Po ashtu kryeprokurori ka thënë se është intervistuar shoferi i kamionit së bashku me një pasagjer. Sipas deklarimeve të tyre, kamioni ka pasur probleme teknike dhe rreth 1 kilometër është vozitur pa frena.
“Në hyrje të Gjilanit rreth 1 kilometër thotë [shoferi v.j] se ka filluar mos me pas frenim dhe po ashtu ka thënë se kemi provuar me bë gjithçka për me e evidentu një gjë të tillë, por ka qenë e pamundur për shkak të një ngarkese të tillë. Këto janë informatat e para, për informata të tjera duhet të priten hetimet e mëtutjeshme. Nuk e kemi matjen e saktë, por përafërsisht rreth një kilometër ka vozitur me frena jo funksionale”, ka deklaruar Maloku.
Kujtojmë se një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Gjilan ku shoferi i një kamioni ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe ka goditur rreth 10 vetura të tjera.