Ylli i kombëtares së Kosovës, Bersant Celina, po konsiderohet enigmë për shkak të formës së luhatshme që po tregon.
Ylli i Swanseas në Championshipin anglez, u la në bankën rezervë ndaj Sheffieldit deri në momentin që skuadra doli në disavantazh. Me t’u inkuadruar, Celina realizoi gol e asistoi për të kthyer gjithçka në favor të skuadrës së tij.
Në një emision për sportin, autori i emisionit “Quest”, Colin Murray, tha se Celina është enigmë, ndërsa reprezentuesja e Anglisë, Sue Smith e miratoi.
“Celina është si një mister i mbështjellë brenda një enigme, apo jo, apo është e kundërta?”, ka thënë Murray teksa Smith ka shtuar: “Jo, ke të drejtë. Është jokonsistent dhe kjo është fjala për të. Mund të prodhojë momente të kualitetit të lartë. Ishte gjuajtje e mrekullueshme te goli, vrapim i mirë, gjuajtje e matur, me kualitet dhe shikoni asistimin. Top i përsosur, dhe kjo është ajo që ai ka, ka vizion, atë aftësinë për të ndryshuar ndeshjen, por a po e bën në baza të rregullta, që fatkeqësisht për të, jo”.
Pas 22 ndeshjeve këtë sezon, Swansea ka vetëm nëntë fitore dhe zë vendin e nëntë në “Championship”.