Çka po ndodh? Pas Përparim Ramës, një tjetër kandidat për kryetar komune distancohet nga LDK-ja

12:52 | 30 September 2021

Kandidati i LDK-së për Mitrovicën, Armend Agolli ka thënë se ai nuk është pjesë e LDK-së, ndonëse kandidon nga kjo parti për të qeverisur me këtë komunë.

Mirëpo, ai ka pohuar se në të ardhmen do të jetë pjesë e kësaj partie.

“E kemi një kryetari të ri, shumë punëtor, ambicioz dhe tash në gara i ka kandidatë jo nga partia, thuajse apolitikë, Përparimi në Prishtinë, unë në Mitrovicë, e kemi në Podujevë, Sibeli në Ferizaj. Këto janë krejt kandidatura të reja, njerëz që janë ambicioz, të dëshmuar në fusha të ndryshme”, ka thënë ai në Kanal 10.

I pyetur se a është pjesë e LDK-së, Agolli është përgjigjur:

“Për momentin nuk jam, mirëpo në të ardhmen sigurisht që do të jem”, ka thënë ai.

Një deklaratë të ngjashme e kishte bërë edhe Përparim Rama, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës

Rama në paraqitjen e parë televizive kishte thënë është apartiak, anipse do të kandidojë për LDK-në në garën për kryetar të Prishtinës.

“Unë jam apolitik. Nuk jam i anëtarësuar në LDK, por do garoj si kandidat i saj. Besoj fuqishëm në Lumirin, i cili po bën reformat e mëdha përbrenda LDK’së, e shoh si njeri vizionar, me ide përparimtare, interesi i tij shihet”, kishte deklaruar ai.

I njëjti kishte reaguar më pas duke shkruar se është kandidat i LDK-së dhe pjesë e LDK-së në këtë garë.

“Unë jam kandidat i LDK-së. Jam pjese e LDK-së ne këtë garë. Garoj bashkë me listën e asamblistëve të LDK-së; shtëpisë politike të Republikës së Kosovës. Do të jem Kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës pa anime politike por me vizion të fortë e të qartë për Kryeqytetin, qytetin e të gjithëve”, kishte shkruar Rama.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor.

Komento: