Çka u votua dje jashtë rendit të ditës në Kuvend që deputeti i LDK’së thotë se është shkelje e rëndë kushtetuese

16:08 | 12 November 2024
cka-u-votua-dje-jashte-rendit-te-dites-ne-kuvend-qe-deputeti-i-ldk’se-thote-se-eshte-shkelje-e-rende-kushtetuese

Kuvendi i Kosovës dje miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Pas kësaj, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Armend Muja, paraqiti mocion për shmangie nga afatet procedurale lidhur me amendamentimin dhe shqyrtimin e këtij ligji. Mes tjerash, pas propozimit rreth shqyrtimit nëpër komisione funksionale dhe tjera, kërkoi që shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet në seancë plenare me datën 21 nëntor.

Edhe pse propozimi i Mujës mori mbështetjen e deputetëve të nevojshëm, deputetët opozitarë Arben Gashi, Besnik Tahiri e Mërgim Lushtaku kundërshtuan këtë propozim.

Ndërkaq, sot Gashi tha se kjo përbën shkelje të rëndë kushtetuese meqë Kuvendi ka votuar për një çështje që nuk ishte përfshirë në rendin e ditës.

“Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, është evidentuar një shkelje e rëndë kushtetuese dhe procedurale”, tha Gashi, duke shtuar se rregullorja e Kuvendit e bën të qartë se çdo ndryshim në rendin e ditës duhet të ndjekë një procedurë të përcaktuar qartë në nenin 53 të rregullores: 1. Propozimin dhe votimin për heqjen ose plotësimin e çështjeve në rendin e ditës nga kryetarët e grupeve parlamentare ose të paktën gjashtë deputetë; 2. Mbështetjen nga 2/3 e deputetëve të pranishëm për shtimin e një çështjeje të re, apo procedura të tjera të veçanta për çështje urgjente”, tha Gashi.

Kuvendi ishte thirrur për të diskutuar vetëm një çështje të rendit të ditës: shqyrtimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025.

Komento: