Clark i lumtur për operacionin e vitit 1999 që solli paqen në Kosovë, i reagon Vuçiq

16:38 | 14 November 2024
clark-i-lumtur-per-operacionin-e-vitit-1999-qe-solli-paqen-ne-kosove,-i-reagon-vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar deklaratën e gjeneralit amerikan në pension, Wesley Clark, i cili dje tha se është i lumtur për suksesin e ndërhyrjes së NATO’s në vitin 1999 për të ndalë spastrimin etnik në Kosovë.

Vuçiq tha se deklarata e Clark “më shumë flet për të sesa për ne”.

“Wesley Clark është krenar për atë që ka bërë, njerëzit në Serbi janë të indinjuar me atë që ka bërë. Dhe nuk e shoh se në çfarë reflektohet kjo krenari e madhe kur 19 vende, pavarësisht Kartës së OKB-së dhe vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sulmoi një vend të vogël”.

Vuçiq tentoi të lidhte ngjarjet e 99-ës me ngjarjet aktuale në Ukrainë.

“Nuk e di pse nuk e pyetën nëse dëshiron t’i tregojë Ukrainës apo zbatohen rregulla të ndryshme”, tha Vuçiq.

Clark, i cili dje qëndroi në Maqedoninë e Veriut ku u nderua nga shqiptarët atje si “Qytetar Nderi” i Çairit, dha një intervistë për ABC News ku u shpreh se ishte i lumtur që sjellja e paqes në Kosovë ishte e suksesshme. Ai përmendi se një grup njerëzish qëndruan pas këtij operacioni pasi panë atë që po ndodhte në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur që ishim të suksesshëm në sjelljen e paqes dhe demokracisë në Kosovë. Nuk isha veç unë, ishte një grup i madh njerëzish, ishte Solana, Albright, një sërë njerëzish që ishin pjesë e këtij operacioni sepse pamë një krim shumë të madh dhe padrejtësi. Ishte çnjerëzore dhe ne donim që të ndalonte për njerëzit në këtë rajon që të kishin paqe dhe siguri dhe për këtë arsye 25 vjet më pas rajoni ka qenë përgjithësisht në paqe”./Express/

Komento: