“Çmenden” 85 mijë tifozët e Realit prezentë nga këto fjalë të Mbappe-s

14:09 | 16 July 2024

Kylian Mbappe i ka thënë fjalët e para si lojtar i ri i Real Madridit.

Ylli francez është pritur ngrohtë nga 85 mijë shikues në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ndërsa pasi fillimisht foli presidenti Florentino Perez, i cili i uroi mirëseardhje, erdhi koha të fliste edhe futbollisti i deridjeshëm i Paris Saint-Germainit.

“Është e jashtëzakonshme të jem këtu. Kam fjetur shumë net duke ëndërruar që ta vesh fanellë dhe tash ja ku jam këtu, si futbollist i Real Madridit. Jam këtu në klubin e ëndrrave të mia, jam shumë krenar dhe i nderuar”, deklaroi fillimisht Mbappe, i cili e puthi fanellën e Realit.

“Është një ditë e pabesueshme për mua. I falënderoj të gjithë madrilenët që më kanë përkrahur ndër vite. Tash e kam një ëndërr tjetër që të jem në lartësinë e klubit më të madh në botë”, shtoi tutje Mbappe.

Në fund, ai i motivoi krejt fëmijët, duke iu thënë që t’i ndjekin ëndrrat, të cilat mund t’i realizojnë, njëjtë siç bëri ai.

Komento: