Çmimet e naftës rriten me shpejtësi, prekin rekorde të reja.
Çmimet e derivateve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po rriten në vazhdimësi që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë. Mediat amerikane raportojnë se sot është regjistruar çmim më i lartë se 100 dollarë për një fuqi nafte, që është më i larti nga korriku i 2014-s.
Nafta e papërpunuar në SHBA është rritur sot me 8%, duke kapur një çmim prej 103.41 dollarësh për fuqi. Po ashtu, kjo përbën edhe rritjen më të madhe brenda një ditë që nga nëntori i vitit 2020.
Analistët amerikanë kanë vlerësuar se 60 milionë fuqitë e ofruara të naftës në treg nga Shtëpia e Bardhë dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, nuk do të mjaftojnë as për së afërmi për ta neutralizuar panikun e shkaktuar nga kriza e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Çmimet e naftës po rriten për çdo ditë edhe në Kosovë, duke e reflektuar rritjen e vazhdueshme në tregun e huaj. Kjo rritje ka ngritur shqetësime mes qytetarëve, se do të prodhojë efektin zinxhiror të rritjes së çmimeve të produkteve bazike për jetesë.