Mbeten ende në fuqi çmimet e rritura të sigurimeve të automjeteve.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ende nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me kërkesën e parashtruar nga një grup i qytetarëve dhe disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, për shfuqizimin e vendimit për rritjen e çmimit të sigurimit të detyrueshëm për automjetet për pasagjerë.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me këtë çështje dhe të japin informacione se a mund të anulohet një vendim i tillë.
Më 15 dhjetor të këtij viti, BQK përmes një vendimi ka rritur tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë për mbi 26 për qind.
Ky vendim kishte ngritur pakënaqësitë e qytetarëve, grupeve të ndryshme që identifikohen si adhurues të veturave dhe shoqërisë civile. Një grup i tillë me emrin “Marakli t’kerreve” vazhdojnë të kundërshtojnë rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve.
Agan Hajdarhoxha nga ky grup, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se presin që gjatë kësaj jave të kenë takim me përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe të merret ndonjë vendim.
“Kemi marrë një përgjigje nga Banka Qendrore. Na është kërkuar që të bëjmë një grup punues me një ekspert të komunikacionit, një të sigurisë dhe një avokat dhe të shkojmë në takim përsëri, por për shkak të disa aktiviteteve humanitare që kemi pasur nuk kemi mundur të takohemi. Tani jemi në konsultime me një avokat për hapat e mëtejmë”, thotë Hajdarhoxha.
Sipas tij, nëse nuk arrihet të anulohet vendimi i BQK-së për rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve, atëherë do të kërkojnë që të gjenden forma tjera që lehtësojnë pagesën që qytetarët bëjnë për sigurim të automjeteve.
“Besojmë që në këtë javë do të arrijmë të bëjmë diçka, nëse nuk është e mundur të hiqet rritja e çmimit për 26.6 për qind, atëherë do të kërkojnë të ndryshojmë ‘Bonus – Malusin’, të paktën me pas një lehtësim qytetarin”, thotë Hajdarhoxha.
Sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori një vjeçare të aplikuesit për sigurim dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe kalkulon bonusin ose malusin.
Një person që nuk bënë aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajmë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë malus.
Reagime për ngritjen e çmimeve të sigurimit të automjeteve ka pasur edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNJ) me seli në Prishtinë.
Ky Këshill e pati kundërshtuar rritjen e tarifave të sigurimit të automjeteve, duke e konsideruar si goditje për xhepin e qytetarëve të Kosovës nga ana e kompanive të sigurimeve.
Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, e cila përfaqëson kompanitë e sigurimeve në Kosovë, kishte kërkuar që tarifat për sigurim të detyrueshëm të automjeteve të jenë edhe më të shtrenjtë dhe atë 36 për qind.
Çmimet e sigurimit të automjeteve u rriten sipas centimetrit kubik, nga më e ulëta deri te më e larta.
Për automjetet prej 0 deri në 750 centimetër kubik, për të cilat është paguar 59 euro, tani paguhet 74,71 euro. Ndërkaq, për automjetet që janë mbi 2701 centimetër kubik, për të cilat është paguar 247.80, tani paguhet sigurim prej 313,78 eurosh.