‘Çmimet e ushqimeve do të rriten mbi 40%, ndoshta tani Kosovës i bie në mend ta punojë bujqësinë si dikur’

20:35 | 16 March 2022

Gazetari me përvojë, i cili tani jeton dhe vepron në Britani të Madhe, Daut Dauti ka thënë se çmimet e ushqimeve do të rriten. E kjo rritje, ka shkruar ai, do të ndjehet më shumë në vendet e pazhvilluara, ku hyjnë Kosovë dhe Shqipëria.

Ai ka thënë se krizat më së rëndi i përjetojnë ata që janë më të varfër.

“Statistikat paralajmërojnë se çmimet e ushqimit sivjet do të rriten dukshëm në Evropë. Buxheti i një familjeje në shtetet e zhvilluara evropiane, siç janë Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, për ushqim do të shpenzojë 10% më shumë se në vitin e kaluar. Në vendet e pazhvilluara evropiane, siç janë Kosova dhe Shqipëria, rritja mund ta kaloj shifrën 40%. Pra, kjo është përqindja që e dëmton buxhetin tonë. Ky është dallimi që bënë me dije se gjatë krizave më keq e pësojnë të varfërit”, ka shkruar Dauti.

Kjo krizë, ka shkruar ai, mund t’ia përkujtojë Kosovës se sa e rëndësishme është bujqësia e blegtoria.

“Ndoshta kjo krizë ia përkujton Kosovës se sa e rëndësishme që është bujqësia dhe blegtoria. Sot bujqësia në Kosovë është më e ulët se që ka qenë në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar. Gjatë asaj kohe Kosova nuk ka importuar pothuaj asnjë prodhim bujqësor kurse sot i importon gati të gjitha. Ndoshta kjo krizë na shtynë të mendojmë për arsyet pse i kemi privatizuar (lexo: shkatërruar) edhe ato pak fabrika të ushqimit që i kemi pasë dhe pse e kemi lënë fshatin dhe kemi ardhur në qytet”, ka shkruar Duati në Facebook.

Komento: