
Zëvendësministrat e Punëve të Jashtme të Iranit dhe Omanit zhvilluan bisedime në Teheran gjatë dy ditëve të fundit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, sipas Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Kjo rrugë ujore jetike është mbyllur në mënyrë efektive nga Irani që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën në muajin shkurt.
Ajo është rruga kryesore për transportimin e naftës së papërpunuar nga vende të pasura me naftë, si Arabia Saudite dhe Kuvajti, drejt pjesës tjetër të botës.
Si Teherani, ashtu edhe Muskati kanë Zona Ekskluzive Ekonomike (ZEE) në këtë ngushticë, shkruan CNN.
Sipas Kombeve të Bashkuara, një shtet ka “të drejta sovrane” për të eksploruar, shfrytëzuar, ruajtur dhe menaxhuar burimet natyrore të ujërave brenda Zonës së tij Ekskluzive Ekonomike.
Megjithatë, sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), “anijet e të gjitha shteteve, qofshin ato bregdetare apo pa dalje në det, gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor nëpër detin territorial”.
Një shtet bregdetar nuk duhet “të pengojë kalimin paqësor të anijeve të huaja nëpër detin territorial”, thuhet në konventë, përveç rasteve të veçanta të parashikuara. Ai mund “të ndërmarrë hapat e nevojshëm në detin e tij territorial për të parandaluar kalimin që nuk është paqësor”, përcakton UNCLOS.