Conte tregon se si është gjendja e Sanchezit

16:01 | 16 October 2020

Conte deklarohet para derbit me Milanin, flet edhe për gjendjen e Sanchezit.

Antonio Conte ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të derbit të Milanos.

Ai ka folur për gjendjen e skuadrës, kohën e shkurtër të përgatitjes së sfidës dhe mbi të gjitha të formës së sulmuesit Alexis Sanchez.

Çfarë vlere ka ky derbi në nisje të një cikli të rëndësishëm?

Ne kërkojmë të bëjmë maksimumin dhe të fitojmë në çdo ndeshje që luajmë, pasi çdo sukses vlerësohet me tre pikë. Derbi ka vështirësi më të mëdha, pasi kundërshtari është shumë i fortë. E ka mbyllur sezonin e kaluar në mënyrë perfekte dhe e ka nisur shumë mirë këtë aktualin. Megjithatë duam dhe duhet të bëjmë një ndeshje të mirë, ndonëse e njohim vështirësinë.

Sa ndikon fakti që lojtarët kanë qenë me kombëtaret e tyre dhe nuk keni pasur kohë të punoni?

Sigurisht që do të doja të kisha pasur të paktën një ditë më tepër për të përgatitur këtë sfidë, por ka program ndërkombëtar dhe duhet të përshtatemi.

Kështu që gjithçka duhet ta përgatisim në seancën e pasdites së sotme, ku do të punojmë pak në fushë dhe shumë me video e këshilla për futbollistët.

Ata që ishin angazhuar me kombëtaret janë kthyer dje, me Vidal e Sanchez që zbarkuan të fundit dhe sigurisht që janë të lodhur, pasi disa kanë luajtur 3 ndeshje në pak ditë, por kanë bërë mirë dhe duhet të shfrytëzojmë moralin e lartë.

Si është gjendja e Sanchez?

Ka ardhur me një problem të vogël muskulor mbrëmë në orën 10 të mbrëmjes dhe sot do të shohim. Mjekët po kryejnë ekzaminimet dhe ne do ta shohim në fushë. Na prej një kalendar mjaft intensiv, ndaj duhet të llogaritim mirë aktivizimin e tij, pasi nuk duam të rrezikojmë asgjë. Megjithatë pres edhe një ndërgjegjësim të vetë lojtarëve në të tilla raste, pasi vetë Sanchez duhet të më thotë nëse do të luajë nesër apo do të presë përballjen e radhës.

A është derbi një provë pjekurie?

Sezoni sapo ka nisur dhe gjatë rrugës do të kemi ndeshje të tjerë të mëdha e të rëndësishme, megjithatë pres që në derbi të tregojmë se jemi përmirësuar akoma.

Në Itali skuadrat po shënojnë më shumë.

A mund të themi se ka ndryshuar filozofia?

Ne kemi shënuar 113 gola sezonin e kaluar dhe unë do të isha i lumtur po të arrinim sërish të njëjtën shifër. Po shoh që si në Itali, ashtu edhe në Europë, skuadrat luajnë më hapur dhe kanë dëshirë të tregojnë vlerat e tyre. Në Itali kjo tregon se niveli po rritet dhe tani të gjitha skuadrat besojnë se mund të marrin pikë ndaj kujtdo.

A e keni menduar ndryshimin e skemës meqë keni mungesa nesër?

Jo, do të ndryshojnë interpretuesit, por pozicionet në fushë të lojtarëve do të jenë të njëjtët. Ne kemi ndërtuar tashmë lojën tonë mbi këtë rreshtim, që dikur konsiderohej një hap mbrapa, por sot po përdoret çdo ditë e më shumë nga klube të ndryshme.

Si e shihni sfidën mes Hakimit dhe Theo Herandez?

Nesër ka një derbi mes Interit e Milanit dhe dy lojtarët janë në shërbim të skuadrave të tyre. Sigurisht që për vetë pozicionet që kanë, do të përballen shpesh me njëri-tjetrin dhe të dy kanë aftësi shumë të mirë, që do të mundohen t’i vënë në shërbim të skuadrës.

Kush luan nesër, Eriksen apo Brozoviç?

Këtë herë e kam punën shumë më të lehtë, pasi kam vetëm 4 mesfushorë në dispozicion dhe tre prej tyre duhet të luajnë nga minuta e parë. Megjithatë unë punoj njësoj me të gjithë futbollistët, pasi na pret një kalendar shumë i ngjeshur dhe do të ketë hapësira për të gjithë. Djemtë e kanë të qartë që do të luajnë shpesh dhe duhet të japin kontributin e tyre në fushë.

Eriksen duket se ka kërkuar më shumë minuta…

Nuk e di nëse luan pak te Interi, por unë mendoj se ka luajtur aq sa duhet. Unë marr disa vendime për të mirën e skuadrës. Megjithatë jam shumë i kënaqur për mënyrën se si Eriksen po integrohet te Interi dhe kontributin që po jep. Shpresoj që edhe ai të jetë i kënaqur që po punon me ne, pasi në një sezon të tillë, do të ketë hapësira për të gjithë. Megjithatë unë mendoj se Eriksen ka luajtur mjaftueshëm për të treguar vlerat e tij, ashtu si edhe lojtarët e tjerë.

Si e imagjinoni një derbi pa publik?

Nuk është bukur të shohësh një ndeshje pa tifozë, pasi kemi nevojë të shkëmbejmë emocionet në fushën e lojës, por megjithatë ju garantoj që impenjimi i futbollistëve në fushë do të jetë i njëjtë.

Komento: