Costa: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE, erdhi koha t’i mbajmë premtimet

13:08 | 22 January 2025
costa:-e-ardhmja-e-vendeve-te-ballkanit-perendimor-eshte-ne-be,-erdhi-koha-t’i-mbajme-premtimet

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, është shprehur se “nuk ka dyshim” se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë është në BE.

Ai po ashtu ka potencuar se është koha që BE të përmbushë premtimet e saj ndaj këtyre vendeve.

Në fjalimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian, Costa theksoi se zgjerimi i BE-së ishte një nga mesazhet kryesore të takimit të mbajtur më 19 dhjetor dhe se BE-ja është plotësisht e përkushtuar për zgjerimin si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë të popullit evropian dhe të kontinentit.

“Së dyti, për zgjerimin. Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj zgjerimit si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë, për popullin tonë dhe kontinentin tonë. Kjo ishte gjithashtu një temë qendrore në samitin e Ballkanit Perëndimor që unë kryesova një ditë përpara Këshillit Evropian.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia po punojnë shumë për të përmbushur angazhimet e tyre. Nuk ka dyshim se e ardhmja e këtyre vendeve është në Bashkimin tonë. Është koha që ne t’i zbatojmë premtimet tona ashtu siç ata i përmbushin të tyret”, ka thënë Costa.

Costa qysh pas marrjes së detyrës kishte premtuar se zgjerimin do ta ketë prioritet gjatë mandatit të tij në krye të Këshillit të BE-së./Sinjali/

Komento: