Sipas një studimi, sëmundja COVID-19 mund të shkaktojë çrregullime në mushkëri edhe tre muaj pas infektimit.
Në bazë të një hulumtimi me dhjetë pacientë, të kryer në Universitetin e Oksfordit, pacientët e infektuar kanë pasur problem me shkurtim të frymëmarrjes dhe lodhje edhe tre muaj pas infektimit.
Gjatë studimit, ekspertët përdorën një teknikë të re të skanimit për identifikimin e dëmeve të sëmundjes, të cilat nuk mund të dallohen me teknikat tradicionale, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Sipas teknikës së skanimit me ksenon, pacientët e thithin këtë gaz gjatë rezonancës magnetike.
Prof.Fergus Gleeson, që është duke e udhëhequr këtë studim, e përdori këtë teknikë në dhjetë pacientë të moshës 19 deri në 69-vjeçare.
Tetë nga dhjetë pacientët që morën pjesë në hulumtim patën shkurtim të frymëmarrjes dhe lodhje tre muaj pas infektimit, ndonëse asnjëri prej tyre nuk kishte qenë në repartin e kujdesit intensiv.
Skanimi tregoi shenja të dëmtimit të mushkërive, duke i vënë në pah zonat ku ajri nuk është duke rrjedhë lehtë. Kjo gjë u vërejt në tetë pacientë.
Rezultatet e hulumtimit e kanë nxitur profesorin Gleeson që të planifikojë një testim më të gjerë me 100 persona për të parë nëse vlen e njëjta gjë për të infektuarit që kanë qenë në spitale.