Ronaldo e quan mbret Pelen: Një frymëzim për kaq shumë miliona njerëz, nuk do të harrohet kurrë.
Cristiano Ronaldo ka shprehur ngushëllimet e tij për Brazilin dhe familjen e legjendës së futbollit, Pele, i cili vdiq të enjten, në moshën 82-vjeçare.
Edson Arantes do Nascimento – Pele konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Me kombëtaren braziliane ka qenë tre herë kampion bote, gjë që nuk e ka arritur asnjë lojtar tjetër.
Titullin e parë e fitoi në vitin 1958, kur mahniti botën në moshën 17-vjeçare dhe u bë menjëherë lojtari kryesor i kombëtares, titullin e dytë e fitoi katër vjet më vonë dhe të fundit në vitin 1970.
Ronaldo ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme një lamtumirë e thjeshtë për Pelen, të cilin e ka quajtur mbret.
“Ngushëllimet e mia të thella për të gjithë Brazilin, dhe në veçanti për familjen e Edson Arantes do Nascimento. Një ‘lamtumirë’ e thjeshtë për mbretin e përjetshëm Pelé nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme për të shprehur dhimbjen që e gjithë bota e futbollit po përqafon aktualisht”.
“Një frymëzim për kaq shumë miliona, një referencë dje, sot dhe përgjithmonë. Dashuria që më tregoje gjithmonë ishte reciproke në çdo moment që e ndanim edhe nga distanca. Ai nuk do të harrohet kurrë dhe kujtimi i tij do të jetojë përgjithmonë në secilin prej nesh futbolldashësit. U prehsh në paqe Mbreti Pele”, ka shkruar Ronaldo.