Pak ditë më parë u bë e ditur se Samitit i paraparë të mbahet me 1 korrik në Paris është shtyrë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se shtyrja e takimit ndërmjet zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit në Paris ishte “humbje për dikë”, por më së paku disfatë e Serbisë.
Madje, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Daçiq ka thënë se nuk ka shumë “hidhërim” as në Bruksel apo në Uashington se takimi në Paris u shty.
“Kjo sugjeron që Shtetet e Bashkuara e shohin këtë si dëshmi se asgjë nuk mund të bëhet pa ta. Tani ata që u përpoqën të organizonin këtë takim e shohin se nuk është e lehtë”, citohet të ketë thënë Daçiq.
Siç shtoi ai, është shumë herët të thuhet kur do të vazhdojë dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çfarë mund të jetë rrjedha e ngjarjeve.
“Ka shumë tema të tjera me të cilat ballafaqohen udhëheqësit evropianë dhe një prej tyre është zgjedhja e institucioneve të reja evropiane”, tha Daçiq.
Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar rreth anulimit të takimit, duke thënë se ai gjithashtu nuk është i kënaqur që nuk do të ketë një takim në Paris.