Serbia po vazhdon të lobojë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën.
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq ka folur rreth planeve të Serbisë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, në kohën kur Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.
Daçiq gjatë një fjalimi sot në Parlamentin e Serbisë tha se 15 vende që kanë tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës, përbëjnë tetë për qind të votës totale në OKB.
Sipas tij, do të ketë më shumë vende për të tërhequr vendimin.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një pozitë sa më të mirë në bisedime mbi të ardhmen e Kosovës dhe, deri në fund të vitit, të ulim numrin e vendeve që e kanë njohur Kosovën nën gjysmën e anëtarëve të KB”, tha ai.
Daçiq gjithashtu tha se ‘të gjithë duhet të binden se Kosova nuk ka shanse të anëtarësohet në Interpol’.
“Mos u shqetëso, këtë u thashë atyre me kohë. Ata (Kosova) duhet të heqin tarifat, dhe të krijojnë asociacionin në mënyrë që të vazhdojë dialogu,” vuri në dukje ai.
Daçiq kujtoi se në një takim në Helsinki, ai pyeti përfaqësuesit e BE-së nëse ata do të pushonin së lobuari për Kosovën, por që sipas tij, ‘të gjithë heshtën’.
Së fundmi, Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.
I përfshirë në aferën e ryshfetit për tërheqjen e njohjeve, përmendet këshilltari i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vladimir Cizelj, i cili është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës.
Ndryshe, në ueb faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës figurojnë 116 shtete të cilat e kanë njohur Kosovën.