Daçiq ka thënë se Serbia nuk e ka ndërmend a njoh Kosovën si shtet.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq tha sot se po i dërgohet botës mesazhi se Serbia është unike dhe e fortë.
“Ky takim (i referohet ‘Ardhmëria e Serbisë’), tregon se Vuçiq gëzon mbështetjen e madhe të popullit, se Serbia është e qëndrueshme dhe e fortë, kërkon paqe, kompromis dhe pajtim, por gjithashtu se është e fortë dhe mbron popullin dhe interesat e saj. Të kemi frikë vetëm nga armiqtë serbë”, tha Daçiq.
Ai gjithashtu tha se tubimi nuk është mesazh për opozitën në Serbi, por për të gjithë botën.
“Ju mos mendoni se mund të bëni shantazh Serbisë, mos mendoni se Serbia është e dobët, ju mendoni kështu dhe bëni presion që ne të njohim Kosovën apo të heqim Republikën Srpska. Nuk ka dorëzim pavarësisht nga presioni”, tha Daçiq.
Ai gjithashtu duke iu drejtuar gjithë botës si në gjithë ligjërimin e tij porositi “të mos luhet me zjarrin”.
Ai gjithashtu tha se opozita në Serbi nuk ka shanse dhe se Vuçiq është i përgjegjshëm për interesat shtetërore dhe kombëtare.
“Ai (i referohet Vuçiqit), i mbron ata (kundërshtarët e tij) nga humbja e madhe. Këtu unë do t’i kërkoj atij të ndalojë mbrojtjen e tyre”, tha në fund Daçiq.
Përndryshe, ministri serb ka tash e sa kohë që bën fushatë për çnjohjen e Kosovës tek vende të ndryshme të botës dhe lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të huaja me rëndësi.