Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur kërcënimeve të Ivica Daҫiqi për ndërhyrje në veri të Kosovës.
Ai thotë se këto kërcënime tregojnë se marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është shumë larg.
Sipas tij, fakti që KFOR-i është në Kosovë, kërcënimet e tilla të Daçiqit nuk mund të jenë asgjë tjetër përveç kërcënime boshe.
“Çdo ditë dëgjojmë kërcënime nga Serbia, siç është rasti i fundit me kërcënimin e ministrit të jashtëm serb, për ndërhyrje në veri të Kosovës. Ata e dinë që Kosova tani e ka ushtrinë e vet dhe se KFOR është ende në Kosovë. Prandaj edhe atë e dinë se këto kërcënime janë boshe”, ka thënë deputeti i LDK’së.
Për Hotin, gjuha kërcënuese e Beogradit, tregon se sa larg marrëveshjes janë Serbia dhe Kosovës.
“Por kjo gjuhë kërcënuese tregon se arritja e marrëveshjes në mes të dy vendeve është ende larg. Kjo gjuhë duhet të ndalet para çfarëdo dialogu. BE-ja duhet të reagojë”, ka përfunduar Hoti.
Zëvendësministri Burim Ramadani, ka thënë se do të bashkëpunojnë me KFOR-in në çfarëdo situate që mund të krijohet.
Ndërkohë të heshtur nuk kanë qëndruar as zyrtarët e KFOR-it. Zëdhënësi i kësaj force, Vincenzo Grassov, ka thënë se janë duke e monitoruar situatën, dhe se nuk ka shenja se situatat mund të eskalojë.