Ivica Daçiq thotë se Serbia nuk kishte informacione për ndërhyrjen e djeshme në veri.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Inspektoratin Policor, dje kanë organizuar një aksion të madh në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë kështu edhe veriun e vendit, nga ku mbeten të arrestuar dhjetëra qytetarë serbë.
Për një ndërhyrje të mundshme të forcave të sigurisë në Veri, Vuçiq kishte folur javë më parë, ndërkohë dje e kishte përsëritur se ndodhi pikërisht ajo që kishte paralajmëruar dhe për të cilën kishte alarmuar komunitetin ndërkombëtar.
Megjithatë fjalët e shefit të tij, i ka përgënjeshtruar Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, duke thënë se Serbia nuk kishte asnjë informacion se Kosova do të realizonte atë aksion në veri.
“Serbia nuk kishte informacione mbi arrestimet e kryera në katër komunat veriore të Kosovës”, ka thënë ai.
Daçiq ka shtuar se për veprime të tilla do të duhej të kishte një sistem informimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Detyrim i nënshkruesve të Brukselit ishte që të kishte një sistem informimi mbi veprime e mundshme”, ka thëën Daçiq, shkruan tanjug, transmeton Gazeta Express.
Dje institucionet e sigurisë në veri të vendit kanë arrestuar dhjetëra persona nën dyshimet për kontrabandë e vepra të ngjashme. Shumica e të arrestuarve janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.