Me 8 tetor vendi do të shkojë në zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të fillojë asnjë procedurë për organizimin e zgjedhjeve pa alokimin e parave të nevojshme nga Qeveria në largim e Republikës së Kosovës.
Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila tha se KQZ-ja menjëherë, një ditë pas shpalljes së datës zyrtare të zgjedhjeve, ka bërë kërkesë zyrtare për alokimin e parave të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Ndërkaq, në rast të vonesave eventuale, KQZ-ja, sipas saj, nuk merr ndonjë përgjegjësi për mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve.
“KQZ nuk mund të ndërmerr asnjë hap pa i pasur paratë e alokuara. KQZ-ja nuk mund të marr përgjegjësi për vonesa, për mosmbarëvajtje të zgjedhjeve. Sepse ne që në ditën e parë dhe që nga momenti kur kryeministri ka dhënë dorëheqje, kemi treguar se meqë (2019) nuk ka qenë vit zgjedhor, KQZ nuk ka mjete për organizimin e zgjedhjeve”, tha Daka.
Buxheti i planifikuar për organizimin dhe mbajtjen e procesit zgjedhor llogaritet të jetë prej rreth 6 milionë euro.
Ministri në largim i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha paratë e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve ekzistojnë, por që nuk mund të barten pa sqarimet juridike.
Hezitimi i Ministrisë së Financave që t’i alokojë mjetet e nevojshme KQZ-së, ndërlidhet me kërkesën që kryeministri në largim, Ramush Haradinaj i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese me të cilën ka kërkuar interpretimin e funksioneve të qeverisë pas dorëheqjes së tij. Përderisa nuk ka ende një aktgjykim apo vendim të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave nuk po i ndanë KQZ-së buxhetin e nevojshëm për zgjedhjet e 6 tetorit.
“Unë besoj se Kushtetuesja duhet të bëjë veprime në kompetencën e saj. Pa u lëshuar në çështjet, detyrat dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, ne do të presim të sqarohet kjo situatë dhe pas sqarimit të situatës të ndërmarrim veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin”, tha ministri Hamza.
Sipas tij, sapo që Kushtetuesja të jap vendimin apo interpretimin hiqen të gjitha pengesat që buxheti për zgjedhje t’i alokohet KQZ-së.
“Pra shuma e mjeteve nuk është problem, mjetet ekzistojnë, janë në buxhet, Ligji për buxhetin e autorizon Ministrinë e Financave t’i realizojë këto transfere, por vetëm kemi nevojë që të sqarohet situata juridike në mënyrë që të merren veprimet e nevojshme”, tha Hamza.
Por, në anën tjetër, Valdete Daka thotë se përderisa Qeveria pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndarjen e buxhetit, edhe KQZ-ja nuk mund të merr asnjë veprim organizativ.
“Ne nuk mund të angazhojmë një operator i cili do të bëjë informimin publik dhe informimin e qytetarëve lidhur më mënyrën e votimit, nuk mund të porositim asnjë mjet apo material zgjedhor, qoftë sensitiv, qoftë josensitiv. Aty hyjnë fletëvotimet, llampat e materiale tjera. Pra, të gjitha materialet të cilat ne nuk i mbajmë rezervë, pasi që ne nuk e dimë kur mbahen zgjedhjet, përveç zgjedhjeve të rregullta”, shprehet Daka.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje, kërkesës së kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, i cili e ka deponuar kërkesën e tij në këtë Gjykatë më 29 korrik.