Detaje nga samiti i Tiranës, marrëveshjet që pritet të firmosen.
Më 6 dhjetor, për herë të parë Shqipëria do të presë liderët e vendeve të Bashkimit Evropian në samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në Tiranë do të mbërrijnë që prej pasdites së datës 5, krerët e 27 vendeve anëtare, drejtuesit e Bashkimit Evropian, por edhe liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vetëm liderët e Serbisë nuk kanë konfirmuar deri më tani mbërritjen në Tiranë. Ardhja e Vuçiq apo Bërnabiq në këtë samit nuk konfirmohet deri më tani as nga Beogradi zyrtar, por as nga organizatorët e samitit.
Ndërkohë, vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor do të jenë të përfaqësuara në këtë samit me krerët e shteteve, ose kryeministrat.
Përveç mesazheve dhe deklaratave që do të jepen nga liderët evropianë, ky samit do të këtë rëndësi edhe për marrëveshjet që pritet të firmosen.
Njëra nga marrëveshjet që pritet të nënshkruhet do të jetë edhe heqja e tarifave të roaming mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Më herët një marrëveshje e ngjashme për të hequr tarifat e roaming është firmosur mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë vjen pak muaj pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën procesin e negociatave për anëtarësim në Unionin Evropian. /Euronews