Dalin detaje për takimin e nesërm Kurti-Vuçiq: Njëherë me Scholzin, pastaj me njëri tjetrin

19:26 | 03 Maj 2022

Njëherë me Scholzin, pastaj me njëri tjetrin: Dalin detaje për takimin e nesërm Kurti-Vuçiq.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka dhënë detaje mbi takimet e nesërme në Berlin, ku të pranishëm do të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ambasadori Rohde bën me dije se kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të takohet ndaras me Kurtin e Vuçiqin, ndërsa pas takimit me Kurtin, do të ketë edhe konferencë për media në orën 16:00, shkruan lajmi.

“Nesër kancelari Scholz do të pres kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në takime të ndara në Berlin. Takimi me kryeministrin Kurti do të përcillet me një konferencë të përbashkët për media në orën 16:00”, ka thënë Scholz.

Ai gjithashtu bën me dije se Kurti e Vuçiq do të takohen edhe me njëri-tjetrin direkt në mbrëmje, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili po ashtu është i ftuar në Berlin.

“Në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE, kancelari Scholz ka ftuar Miroslav Lajçakun i cili do të pres një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në mbrëmje në Berlin”, ka shkruar ai tutje.

Rohde ka dhënë detaje edhe mbi temat që do të diskutohen nesër në këto takime.

“Të dy takimet do të fokusohen në koordinimin e reagimeve të mëtejshme ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, marrëdhënieve politike dhe ekonomike dhe bashkëpunimit rajonal. Takimet do të shërbejnë gjithashtu për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar Rohde në fund.

Komento: