Dalin detaje rrëqethëse nga vrasja e 5 vjeçares nga nëna e saj

17:04 | 18 June 2022

Një krim i rëndë ka tronditur Italinë ditë më parë.

Elena Del Pozzo, vetëm 5 vjeçe, u vra nga nëna e saj në Mascalucia me shtatë goditje me thikë në qafë, në vesh dhe në shpatull.

Vrasja tronditi qytetin prej tridhjetë mijë banorësh në shpatet jugore të Etnës, ndërsa për ngjarjen u arrestua pas rrëfimit të krimit nëna e vogëlushes, Martina Patti.

“E vrava unë”, u shpreh 24-vjeçarja teksa i rrëfeu karabinerëve se pas krimit, trupin e vajzës e kishte fshehur duke e varrosur në një fushë dhe se kishte shpikur historinë e një rrëmbimi.

Hetimet janë vetëm në fillim dhe shumë aspekte të kësaj historie dramatike mbeten ende për t’u sqaruar, pavarësisht se pista kryesore mbetet xhelozia e nënës për marrëdhënien e afërt që Elena kishte me babain e saj dhe të dashurën e tij të re.
Por kush është Martina Patti, e arrestuar për vrasjen e vajzës së saj?

Andrea Di Grazia, korrespondent i Catania Today ka përshkruar profilin e Martina Pattit duke u nisur nga fjalët e atyre që e njihnin.

“Ajo ka pasur gjithmonë një shqetësim të brendshëm, ndoshta edhe të lidhur me prindërit e saj që nuk donin që ajo të dilte, të qëndronte me djalin tim”, shpjegoi gjyshja e 5-vjeçares nga babai Rosaria Testa.

Në vijim ajo shton: “Por nuk e di pse shkoi kaq larg. Nganjëherë ajo kishte një qëndrim të dhunshëm ndaj Elenës, ndonëse e kufizuar në disa shaka. Asgjë që mund të sugjeronte një gjest më serioz”.

Ndonëse e mbështjellë me dhimbje torturuese, ish-vjehrra tregon dhembshuri dhe përlotet kur flet për Martinën duke thënë: “Nuk jam e inatosur me të, më vjen shumë keq”.

Gjyshja ishte ajo që e shoqëroi vogëlushen Elena në mëngjesin e djeshëm në ditën e saj të parë të shkollës.

“E përqafova fort duke i thënë se ashtu siç e dua unë, askush nuk e do. Ndoshta vetëm nëna e saj mund ta donte në të njëjtën mënyrë, por nuk ndodhi.

Nëna kishte një obsesion me djalin tim. Nuk ishte dashuri. Sepse ajo e tradhtoi, siç e dinim në të kaluarën, duke u shtirur se nuk kishte ndodhur asgjë. Tani kemi dëgjuar se ajo ishte me dikë tjetër, një lidhje ndoshta e krijuar para se të ishte me Alessandron, i cili ndërkohë kishte rindërtuar jetën e tij, duke dalë me një vajzë në Gjermani. Këtë Martina nuk e kishte pranuar, sepse e kuptoi që tani nuk kishte më dominim mbi djalin tim”, theksoi gjyshja e viktimës.

Ndërkohë edhe njerëz të tjerë që e njohin e përcaktojnë Martina Pattin si “një nënë e dashur, por ndonjëherë e ashpër dhe autoritare”.

Ajo u kujdes që marrëdhëniet me familjen e ish-bashkëshortit ti kufizonte në përshëndetje të shkurtra kur Elenën e dërgonte në shtëpinë e gjyshërve të saj.

“Një grua e ftohtë”, sipas fqinjëve, e cila me gënjeshtrat e saj bindëse për rrëmbimin e fëmijës kishte arritur fillimisht të largonte dyshimet nga vetja, në mënyrë tejet të llogaritur.

Pastaj u “shemb” nga karabinierët, por pa shprehur pendim për ngjarjen. Ndoshta askush nuk do ta dijë se çfarë i kaloi në të vërtetë kokës kësaj gruaje të re para se të vriste Elenën e vogël, vajzën e saj.

Komento: