MPJ e Kosovës jep detaje lidhur me privimin nga jeta të 7-vjeçarit në Zvicër.
Ministria e Punëve të Jashtme përmes një njoftimi për opinionin publik ka treguar se sot, gjatë ditës Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Konsullata në Cyrih, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, në lidhje me rastin tragjik të privimit në Bazel, të një 7 vjeçari me prejardhje nga Kosova, nga një e moshuar, shtetase zvicrane.
Sipas njoftimit për media, personeli konsullor i Cyrihut, ka vizituar qendrën policore në Bazel, e cila është duke u marrë me rastin.
“Deri më tani, bazuar në informatat preliminare, të komunikuara nga autoritetet policore, në lidhje me këtë privim nga jeta makabre, është bërë e ditur se autorja e kri mit ka dhënë një version fillestar, në lidhje me aktin kriminal, ku për pasojë humbi jetën, i riu, I. M. Me kërkesë të ministrit, Pacolli, personeli diplomatik dhe konsullor i Republikës së Kosovës ka vizituar familjen e të riut, ku i kanë shprehur tronditjen dhe pikëllimin e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Po ashtu, familjarët janë siguruar se Konsullata e Republikës së Kosovës do të jetë në gatishmëri të plotë dhe të vazhdueshme, që të ofrojë çfarëdo përkrahje në këto momente të vështira për familjen”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas njoftimit, Konsullata në Cyrih, në kuadër të fushëveprimit të saj, është udhëzuar që të mbajë komunikim të ngushtë me autoritetet policore dhe të drejtësisë në lidhje me rastin.