Njësia Speciale e Kosovës në orët e para të mëngjesit ka bastistur shtëpinë e ish-komandantit të UҪK-së, Sabit Gecit.
Me urdhër të Gjykatës, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë bastisur shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Sabit Geci.
Prokurori special, Sylë Hoxha, ka konfirmuar për lajmi.net se bastisja është bërë nën dyshimin se djali i Sabit Gecit dhe disa persona të tjerë janë të përfshirë në fajde.
“Dyshohet se djali i tij është marrë me fajde së bashku me disa persona të tjerë dhe me urdhër të Gjykatës e kërkesë të prokurorit sot Policia ka shkuar dhe e ka bastisur shtëpinë e tij”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.
Tutje prokurori special Sylë Hoxha ka thënë se akoma nuk kanë ndonjë raport nga Policia e Kosovës se çfarë kanë gjetur apo bastisur në shtëpinë e Sabit Gecit.
Ndryshe, Policia e Kosovës akoma nuk ka dhënë detaje shtesë mirëpo deri më tani ata kanë konfirmuar vetëm bastisjen në këtë shtëpi.