Dalin pozitiv me koronavirus dy mjekë të Klinikës së Onkologjisë

15:11 | 08 Korrik 2020

Dy mjekë të Klinikës së Onkologjisë dalin pozitiv me koronavirus.

Në Klinikën e Onkologjisë dy mjekë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, ata janë në vetëizolim dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi i cili tha se përveç ngritjes së temperaturës dhe dhimbjes së muskujve kolegët e tij janë në rikuperim e sipër.

Kurtishi po ashtu theksoi se burimi i infeksionit nuk dihet për shkak të kontakteve të shumta që mund t’i kenë pasur edhe nga jashtë.

Shefi i Klinikës së Onkologjisë thotë se një pjesë e stafit janë në pritje të testimit por disa po presin edhe rezultatet.

Aktualisht në Kosovë aktiv me COVID-19 janë 1801 raste, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2003 raste, ndërsa numri total i rasteve pozitive ka arritur shifrën 3886. Betejën me COVID e kanë humbur deri në këto momente 82 persona.

Komento: