Dallaveret me viza, gjykata merr vendim për Ukë Rugovën

14:13 | 29 January 2019

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës është rikthyer në pikën zero.

Rreth tri vjet pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër Ukë Rugovës, djalit të ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe 19 personave të tjerë, sot po tentohet të nis nga fillimi ky gjykim.

Ani pse sa kishte kompetenca EULEX-i ishin mbajtur disa seanca, procesi është kthyer në pikën zero, raporton “Koha Ditore”.

Kjo për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Kodi i Procedurës Penale parasheh që në rast të ndryshimit të trupit gjykues, procesi kthehet në pikën zero.

Në seancë mungojnë disa të akuzuar.

Pa praninë e të gjithë të akuzuarve, përveç nëse veçohet procedura, sipas Kodit të Procedurës Penale, seanca nuk plotëson kushtet ligjore që të mbahet.

“Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës gjyqësore, seanca shtyhet”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, Naime Jashanica.

Ajo ka thënë se gjykata nuk ka caktuar për këtë rast asnjë seancë që nga maji për shkak se nuk është prioritet.

“Ky nuk është rast i shënjestruar andaj nuk ka qenë prioritet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, caktimi i një date të re do të bëhet vetëm pas konsultimit me avokatë dhe prokuroren speciale dhe rasti të ndahet në disa pjesë.

Komento: