“Dallon dënimi i Etem Arifit me atë të Albin Kurtit”

23:15 | 25 Janar 2021

Shkëlzen Gashi thotë se dënimi i Etem Arifit dallon nga dënimi i të parit të VV-së.

Analisti Gashi, ka thënë që vepra për të cilën është dënuar Albin Kurti është e pakrahasueshme me atë për të cilën është dënuar Etem Arifi.

Ishte pikërisht situata e Arifit që kishte çuar në rrëzimin e qeverisë si pasojë e dënimit të tij, dhe tani dënimi i Kurtit për gaz lotsjellës po ia pamundëson atij kandidimin për deputet.

“Për 20 vjet nashta edhe ma shumë [Albin Kurti] nuk e ka dëmtu asnjëherë interesin publik me vetëdije ose qëllim. Nuk e ka dëmtu buxhetin e shtetit të Kosovës, nuk e ka dëmtu interesin publik për me përfitu për interes personal”, ka thënë Gashi në Rubikon të Klan Kosovës.

“Duhet me e dallu veprën që e ka bo Etem Arifi, është korrupsion, krim a çka ka bo. Nuk munesh me thanë nisoj për rastin e Albinit. Sepse ky i ka kundërshtu dy procese politike që i ka konsideru të dëmshme për interesin e vendit”.

Gashi vazhdoi duke thënë se Kurti ka gabuar kur kishte hedhur gaz lotsjellës, mirëpo vendimin e Kushtetueses lidhur me kandidatët e dënuar e sheh si të motivuar politikisht.

“Është gabim që ai ka hedhë gaz lotsjellës, mirëpo qekjo osht e motivume politikisht për me e pengu pjesëmarrjen e tij në zgjedhje”.

“Problemi për mu osht që nuk munesh më i barazu këto dy vepra se nuk janë nisoj”.

Sipas Gashit, vetë Kurti në vitin 2017 kishte thënë që do të pranonte ta vuante dënimin për hedhje të gazit lotsjellës.

“Ai ka thanë në rregull dënimin për to e vuj, jam i gatshëm për me e pranu dënimin dhe tash për mendimin tem ky duhet me e pranu këtë vendim”.

“S’ka që e ndalë fitoren e tij edhe bindëse”.

Komento: