Damon Wilson thotë se SHBA nuk do të imponojë zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë

09:15 | 31 May 2019

Damon Wilson thotë se SHBA nuk do të imponojë zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson ka dhënë qëndrimet e tij se si mund të arrihet deri tek një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson ka qëndruar për vizitë në Serbi ku ka deklaruar se SHBA-të nuk do të imponojë zgjidhje të problemit të Kosovës duke theksuar se është e rëndësishme të tejkalohet bllokimi aktual në bisedime mes Beogradit dhe Prishtinës.

“SHBA e kanë thënë qartë se do ta mbështesin këtë proces, se do ta mbështesin dialogun e pakushtëzuar. Ky është sinjal se nëse ju mund të pajtoheni, ne do t’ju mbështesim. I keni parë letrat e presidentit Trump në të cilat shfaqin vëmendje. Nuk do të imponojmë zgjidhje. Por, ekziston dëshira të marrim pjesë në marrëveshje”, deklaroi Wilson për “Zërin e Amerikës” pas përfundimit të vizitës në Beograd, transmeton lajmi.net.

Wilson ka thënë se Serbia tani nuk e kontrollon Kosovën dhe se në këtë moment çështja e Kosovës e ndalon Serbinë duke e kufizuar në mundësitë e saj.

“Bisedimet e vështira me të cilat u ballafaqua Vuçiq në Parlament dhe në opinion, duhet ta sjellin Serbinë në gjendje të ballafaqohet me realitetin në mënyrë që të ketë mundësi të fokusohet në ekonomi, tek e ardhmja, krijimi i kushteve për të rinjtë. Aktualisht në të gjitha anët flitet për Kosovën dhe shpenzohet oksigjen. Duhet të keni liderë që janë të fokusuar në ekonomi, punë, prodhim, shpejtim të rrugës drejt BE-së. Kosova e ngadalson Serbinë. Presidenti Vuçiq ka qenë i qartë rreth mundësive që mund të shfaqen nëse nuk arrihet deri te marrëveshja me Prishtinën”, theksoi Wilson.

Ai thekson se tani nuk është momenti i mirë për dialog por se të gjitha mund të tejkalohen, transmeton lajmi net.

“Kjo kërkon angazhim rreth asaj se cilat janë vërtetë interesat tuaj dhe ta shtyni dialogun atje ku mund të arrihen rezultate”, u shpreh ai.

Wilson ka pranuar se lidhjet mes SHBA-së dhe BE-së nuk janë aq të fuqishme sa i përket çështjes së Kosovës, sa do të duhej të ishin.

“Duhet të ecim në të njëjtin drejtim, të fokusohemi te rezultati i njëjtë. Kjo do të kërkojë bashkëpunim më të madh diplomatik. Për këtë arsye dua që SHBA të hyjë në proces të jetë fuqi konstruktive në këtë proces. Duhet ta mbani mend se ne jemi të interesuar vetëm për procesin, ne jemi të interesuar për rezultat. Duhet të jemi të përqendruar në arritjen e atyre rezultateve. Nuk na takon të imponojmë. Duam të mbështesim të gjitha për çka merren mes serbët dhe kosovarët”, përfundoi ai.

Delegacioni i Këshillit të Atlantikut në krye me Wilsonin ka qëndruar për vizitë dyditore në Serbi ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Komento: