Dardan Molliqaj i drejtohet opozitës: Mos shkoni në takim se bëheni pjesë e pazareve të Kurtit

16:43 | 20 Tetor 2022

Molliqaj, opozitës: Mos shkoni në takim se bëheni pjesë e pazareve të Kurtit.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një videoje i është drejtuar partive opozitare që të mos shkojnë në takimin e ftuar nga kryeministri Kurti. Ai thotë se po shkuan, bëhen pjesë e “pazareve të Kurtit”.

Për këtë të fundit, Molliqaj tha se po dialogon me Serbinë fshehurazi dhe se ka hequr dorë nga zotimet e dhëna më parë se nuk do të ulej në tavolinë me presidentin serb pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe se në vend të tyre ka zgjedhur “projekte të rrezikshme”.

“Siç është ai autonomisë së serbëve në Kosovë, siç është ai i vazhdimit të status quo-së në Kosovë. Jemi në prag të një procesi të dialogut, i cili e rrezikon Kosovën në disa drejtime”.

“Një kryeministër që dialogon e merret vesh fshehurazi, një kryeministër i cili shantazhon e kërcënon opozitën, nuk meriton në asnjë rrethanë dhe për asnjë kusht t’i shkohet në takim e t’i legjitimohen rrugët e rrezikshme që i ka zgjedhur”, ka thënë Molliqaj.

Ai shtoi se Kurti do të mbetet në histori për “dëmet që do t’ia shkaktojë” Kosovës në raport me Serbinë.

“Ne asnjëherë nuk do t’ia falim, ne asnjëherë nuk do të heqim dorë dhe gjithmonë do ta luftojmë këtë dhe secilin që ia pengon të ardhmen e shtetit, rinisë e të kësaj shoqërie.

Molliqaj tha se Kurti e ka pru punën që ose të pranojë marrëveshje të dëmshme me Serbinë, ose t’i prishë marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Sipas tij, kjo erdhi për shkak të veprimeve të gabuara të këtij kryeministri.

Ftesës së kryeministrit Kurti për të folur mbi çështjen e dialogut me Serbinë i ka dhënë përgjigje negative Lidhja Demokratike e Kosovës.

Komento: