Molliqaj i reagon Kurtit: Dy javë heshtje, dy javë i nxorri piunët e tij për të vjellë vrerë kundër UÇK-së.
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, është shfaqur i ashpër ndaj ish-shefit të tij në Vetëvendosje, Albin Kurtit, për paraqitjen e sotme publike në konferencë.
Molliqaj e ka quajtur hipokrizi qëndrimin e Albin Kurtit, por dhe shfaqjen e tij në këtë mënyrë siç e quan ai pas dy javësh heshtjeje.
“FOLI LIGËSIA E KURTIT
Dy javë heshtje. Dy javë i nxorri piunët e tij për të vjellë vrerë kundër UÇK-së. Madje “Shko Hashim” i thoshte ish-drejtuesit të UÇK-së. Ndërsa sot paska dalë kinse në mbrojtje të saj.
Dy arsye qëndrojnë prapa hipokrizisë së Kurtit:
– E para është presioni i krahut pro-UÇK brenda elektoratit të VV-së, të cilët qartësisht ishin të pakënaqur me politikën reaksionare të Kurtit,
– Kurse e dyta, është vetëdija e Kurtit që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë Qeverinë Hoti ngase një prej deputetëve që e kishin votuar, nuk ishte legjitim. Kurti sot doli si baba dinak tradicional e patriarkal, që e shfrytëzon “vdekjen” e baballarëve të tjerë, për të synuar mbledhjen e përcjellësve të tyre rreth vetes”.
Sipas Molliqajt, i cili shkruan në facebook, Kurti nuk posedon as mbrojtje ndaj UÇK-së por as edhe të Kosovës, meqë thekson se është vetëm lojë pushteti e tij, njofton Klan Kosova.
“Vetëm lojëra pushteti”.
”Vetëm instrumentalizim. Asgjë më shumë”.
“Këtu nuk ka as mbrojtje të UÇK-së e as të Kosovës. Kurti thjeshtë po fërkon duart mbi humbjen e të tjerëve. Mbi humbjen e UÇK-së. Kurti po fërkon duart që të kthehet në pushtet. Dhe për këtë synim po e përdorë tash edhe UÇK-në”.
“Pyetja ime është se kush do t’i nënshtrohet kësaj radhe Kurtit? LDK, apo PDK?”.
“Ndërsa përgjigjja është e qartë: kushdo që i dorëzohet Kurtit, është duke ia dorëzuar Kosovën atij dhe është duke ia sjellë “Zajednicën” Kosovës”.
“Rikthimi eventual i Kurtit, në njërën anë rehaton krahun pro-UÇK brenda VV-së, duke ua hedhur ndonjë asht simbolik e hipokrit si ky i sotmi, kurse në anën tjetër rehaton krahun anti-UÇK duke iu dhënë pozita ministrore – si më herët”.
“Kurti po kthehet jo për tu mbrojtur Kosova. As UÇK-ja. Por për tu kthyer “Zajednica”, popullizmi e tendenca autoritare”.